Nertil Hoxhaj është një element i formuar te Partizani, klub me të cilin debutoi në maj të vitit 2016 në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Teutës. Mbrojtësi i majtë, më t’u mbyllur sezoni mori një ofertë nga Flamurtari dhe u transferua në Vlorë.
Vetëm tre ndeshje si zëvendësues me kuqezinjtë dhe më pas kali te Bylisi në janar të vitit 2017. Gjërat nuk i shkuan mirë për shkak të një dëmtimi që pësoi dhe lojtari i linjës së majtë u aktivizua vetëm në katër ndeshje si titullar.
Vjet luajti në 14 takime dhe u përpoq të jepte kontributin e tij që ballshiotët të riktheheshin në Superiore. Por në grup kishin Tiranën dhe nuk ia arritën dot. Hoxhaj vendosi të largohej dhe dëshira ishte të luante në Superiore.
Doli një ditë në stërvitje me Laçin, por për të është me rëndësi që të luajë dhe i është bashkuar skuadrës së Elbasanit. Me verdheblutë është projektuar si titullar dhe në miqësoren e djeshme kundër Besës arrit të shënonte një gol që nëse do ishte realizuar nga një lojtar i njohur, do bënte xhiron e botës.
Miqësore – E mërkurë, më 29 gusht
Elbasani-Besa 1-2
Shënues: Hoxhaj 55’ / Suvarija 41’ (aut.), Çekiçi