Bylisi është në telashe, pasi pritet të përballet në FIFA për shkak të akuzave që Federata Ganeze e Futbollit pritet të ngrejë mbi ballshiotët për trajtimin e bërë ndaj sulmuesit Gideon Ofori Ofei. Akuzat janë për keqtrajtim të vazhdueshëm të sulmuesit të ri, sikurse raporton Telesport.
Ofei kaloi te Bylisi nga Tirana në formë huazimi dhe në fillim u aktivizua. Anësori pretendon se ballshiotët nuk e kanë paguar për tre muaj, ndërkohë që ai tregon edhe çfarë i ka ndodhur në klubin mallakastriot.
“Për një muaj rresht kam kaluar shumë net pa gjumë. Një ditë binte shi dhe trajneri tha që nuk do zhvillonim stërvitje. Kur mbërrita në shtëpi, klubi më telefonoi dhe presidenti më gjobiti sepse mungova në stërvitje. Autobusi i ekipit nuk erdhi të më merrte dhe m’u desh të ecja një orë në këmbë, për të mbërritur te fusha e stërvitjes”, tregon Ofei.
Më tej ai vazhdon rrëfimin: “Nuk është njerëzore të braktisesh kështu. Kur fola me nënën time në Skype, ajo nisi të qante. Më tha që t’u lutesha të më blinin një biletë avioni dhe të më nisnin për në shtëpi”.
Me ballshiotët e ka mbyllur gjithçka dhe Vora i ka ofruar një kontratë. Aktivimi me Tiranën dhe Bylisin ka vënë në dyshim kalimin e tij te skuadra tjetër e Kategorisë së Parë. Ndërkohë, 20-vjeçari do të kërkojë në FIFA jo vetëm pagat e padhëna, por edhe dëmshpërblim për trajtimin e bërë. Ballshiotët pak kohë më parë kanë humbur një gjyq në FIFA me Emanuel Mbellën, të cilit u detyruan t’i kalojnë 18500 dollarë në llogaritë e tij, ndryshe do t’i zbriteshin tre pikë nga klasifikimi.