Ngjarja e ndodhur në Prilep me Ezgjan Alioskin ka shkaktuar një skandal të madh. Futbollisti shqiptar, i cili aktivizohet me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, u nxor jashtë një restorantit bashkë me familjarët dhe disa miq të tij? Shkaku? Bëri gabimin e jetës, foli shqip!!!
27-vjeçari ka folur rreth këtij episodi, duke mos e fshehur zhgënjimin e tij të madh. “U shokova me atë që ndodhi në Prilep. Unë jam pjesë e Maqedonisë, erdha nga Anglia dhe po prisja me padurim ndeshjet e kombëtares, por shikoni çfarë të ndodh. Nuk e kam fshehur kurrë faktin që jam shqiptar. Po flisja me të afërmit e mi në gjuhën amtare dhe dikush nga restoranti më kërkoi të dilja jashtë për shkak të gjuhës që po flisja. Kam mbetur pa fjalë”, përfundon mesfushori i krahut i Lids Junajtid.
Në lidhje me situatën ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, që dënon me forcë ngjarjet që kanë lidhje me urrejtjen. Ezgjan Alioskin e cilësojnë si ambasador futbolli dhe përfaqësues të Maqedonisë së Veriut.
Federata bën thirrje për zhvillim të vlerave pozitive dhe respekt të barabartë, pavarësisht përkatësisë fetare, kombësisë, racës apo ngjyrës së lëkurës. “Ju bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë dhe ngjarje të tilla të turpshme të mos ndodhin më”, përfundon reagimin e saj Federata Maqedonase e Futbollit.