Dinamo do të përballet ditën e nesërme me Partizanin në derbin e kryeqytetit. Kjo sfidë duket e duhura për Vanolin që të kërkojë kthesën me “nëndetësen blu”. Trajneri i ekipit dinamovit ka folur sot në konferencë për shtyp përpara gazetarëve, ku është shprehur se nuk ka ndërmend ta braktisë anijen dhe se do e drejtojë skuadrën edhe në Kategorinë e Parë. Vanoli ka zbuluar gjithashtu edhe problemin e Sofranac, për të cilin thotë se nuk po tregon përkushtim ndaj fanellës.
“Nuk më pëlqen të flas për fatin ose mungesën e tij, por për çdo gabim, qoftë edhe minimal, jemi penalizuar shumë. Uroj që duke nisur nga nesër, gjërat të ndryshojnë për mirë. Mendoj që kjo skuadër meriton diçka më shumë për lojën që ka prodhuar. Sa i përket derbit, janë gjithmonë ndeshje speciale. Uroj të fitojmë edhe për presidentin, dua t’ia dhurojmë atij suksesin, sepse e di sa e vuan situatën e momentit.
Jemi me besim dhe të karikuar, besoj se do të bëjmë një paraqitje të mirë. Partizani është një ekip i madh dhe i rëndësishëm ne Shqipëri, ashtu si edhe ne. Kanë një trajner shume të mirë, por derbit janë ndeshje jo si të tjerat. Uroj që nga nesër të ndryshojë dhe ky rendiment negative. Sofranac s’është në gjendje të mirë fizike dhe mendore dhe nuk po tregon përkushtim ndaj fanellës. U ble si lojtar i rëndësishëm, por nuk ka treguar rezultate. Mendoj se kush e vesh ketë fanellë duhet ta dojë dhe ta nderojë. Sipas meje, kjo ndjenjë ka munguar tek ai.
Unë nuk e braktis anijen, nuk kam frikë nga Kategoria e Parë. Për mua është një sfidë personale, nuk bëhet fjalë për para. Nuk kam drejtuar kurrë një ekip në Serinë B, por këtu e ndiej si obligim të qëndroj. Besoj se më takon mua t’ia përcjell vlerat e klubit atyre që do të vijnë. Ata që janë pranë klubit e kanë kuptuar se ndryshimi ka filluar, për fat të keq mungojnë rezultatet dhe ato më penalizojnë. Besoj se sezonin tjetër dikush duhet të shikohet në pasqyrë para se të flasë për ne. Shpresoj që tifozët ta zerojnë atë çfarë ndodhi sivjet, sepse vetëm bashkë mund ta rindërtojmë Dinamon. Unë nuk jam nga ata që dorëzohem. Nëse tifozët na bashkohen, besoj se mund të shkruajmë një faqe tjetër të historisë së Dinamos”, ka deklaruar Rodolfo Vanoli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/