Notat e pazakonta të Shqipërisë/ Ylber Ramadani, çfarë të ka bërë Silvinho? Duhej një trajner nga Brazili të na hapte sytë për…Jasir Asanin

Nga Klaudio Ndreca

Për shkak të një super ndeshje të zhvilluar nga Shqipëria kundër Polonisë, këtë herë notat e Sport Ekspres për lojtarët tanë do të jenë të pazakonta, ndryshon vetëm komenti.

Strakosha (10): “Mori papritur vendin e Berishës, që ishte në gjendje gripale. Për fatin e mirë të Strakoshës dhe Shqipërisë, nuk kishte shumë raste në portën tonë. Kur u thirr apel në momentet e fundit, Strakosha dhuroi qetësi dhe frymëmarrje. Gjithashtu edhe në lojën me këmbë ishte shumë i saktë, pasimet e tij shkuan shpesh saktësisht në këmbët e lojtarëve tanë”.

Gjimshiti (10): “Respekt për kapitenin tonë të përjetshëm, Lorik Cana, por cilësisht, Berat Gjimshiti ka luajtur dy ndeshje të një niveli të jashtëzakonshëm, i pakrahasueshëm me të tjerë. Fitoi çdo duel të mundshëm, mbizotëroi në ajër dhe në tokë. Të habit dhe me një vendosje si mur, duke u ulur në gjunjë dhe duke i mbyllur të gjitha hapësirat e pasimit lojtarëve kundërshtarë. Niveli më i lartë”.

Ismajli (10): “Siguri e madhe e prapavijës. Asnjëherë nuk ka marrë duartrokitje nga opinioni sportiv, por ka qenë gjithmonë aty. Ishte i pakalueshëm dhe fitoi çdo duel të mundshëm, askush nuk kalonte dot mbi Ismajlin”.

Hysaj (10): “E kritikojmë shumë herë, por të gjitha janë në të mirë të Kombëtares. Themi shpesh se nuk ka cilësi me topin në këmbë dhe nuk duhet ta mbajë shumë topin në kontroll. U vu re qartazi edhe në 20 minutat e para, kur çaloi jo pak në këtë drejtim. Megjithatë u ngrit në nivel dhe punën e tij e bëri mirë duke fituar jo pak duele ndaj kundërshtarëve. Ishte mbrëmja ku nuk mund të ketë kritika për askënd, shokët e ekipit e ndihmuan shumë”.

Mitaj (10): “Spektakolar! Është një tjetër bast i fituar i Silvinjos. Ka cilësi të jashtëzakonshme në kontroll të topit, disa herë i kalonte lojtarët e Polonisë si të ishin piketa. Akoma më e bukur ishte kur shikoje përkushtimin e madh të Mitajt. Pavarësisht se është në moshë të re, e kishte kuptuar se ndaj Polonisë po luhej finalja. Sapo largonte një top, kthehej me vrap në drejtim të mbrojtjes për të mos e lënë krahun bosh”.

Ylber Ramadani (10): “Mes shumë 10 në këto nota të pazakonta, Ramadani është “10” e vërtetë. Ylber, a je ti? Çfarë të ka bërë Silvinho? Pavarësisht se e vlerësonim si lojtar, ajo performancë e bërë dje kundër Polonisë, ishte thjesht e pabesueshme. Thyerje aksione dhe ndërtime, fizikisht i pamposhtur, thuhet se Zielinski ndodhet ende në xhepin e tij dhe nuk e ka lënë që të kthehet as në Poloni”.

Asllani (10): “Shumë përmirësim nga ajo ndeshje me Çekinë. Mund të krijoj magji në çdo moment me topin në këmbë, ka një siguri që nuk e gjen dot askund tjetër. Edhe në momente presioni të lartë dhe ku mendohet se nuk ka asnjë hapësirë për të dalë ajo nga situatë, Asllani e gjen gjithmonë një të tillë, fenomenal”.

Bajrami (10): “Është figura kryesore dhe ylli i ri i Shqipërisë. Potencialin e tij e shpalos edhe kundër Polonisë, pavarësisht se nuk ka të njëjtin shkëlqim si me Çekinë. Në momentet më të vështira të Shqipërisë, Bajrami përpiqet që të dalë mbi ekipin dhe të krijoj rrezik te kundërshtari”.

Uzuni (10): “Ka shumë kritika dhe komente të këqija për të në këtë moment. Ndoshta edhe transformimi i shumë lojtarëve ka bërë që emri i Uzunit të sfumohet te Kombëtarja. Por mbetet aty, me grintën dhe shpirtin e madh, të vendosur në shërbim të Shqipërisë. Në “futbollin modern”, kjo nuk është pak. Me kalimin e ndeshjeve, ndoshta do të vijë edhe momenti kur Uzuni të shpërthejë si të gjithë e presim, Silvinjo do të ketë menduar diçka edhe për të”.

Asani (10): “I çmendur! Ky lojtar nuk të lë mundësinë që të komentosh, golat e tij të lënë thjeshtë pa fjalë. Është e kot të shkruash për të, sa me fat që e kemi dhe nuk është pjesë e Maqedonisë së Veriut. Duhet të vinte një trajner nga Brazili që të na hapte sytë për Asanin, që e kemi pasur gjithë jetën…në Shqipëri”.

Cikalleshi(10): “Ndoshta nuk arriti të bënte dot diferencë të madhe, por vihej re ndryshimi nga ndeshja e parë me Cekinë. Cikalleshi dukej më i freskët fizikisht dhe arriti të fitonte disa duele ndaj kundërshtarëve, duke e detyruar edhe Bednarek që të ndëshkohej me karton të verdhë. I mungon goli te Shqipëria, nga ana psikologjike nuk është i qetë mjaftueshëm dhe konkurrenca për të po rritet. Por padyshim mbetet një lojtar me shumë vlerë për këtë Shqipëri”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online