Gentian Nora ka marrë pak ditë më parë rolin e drejtorit sportiv dhe ka një detyrë shumë të vështirë, pasi skuadra po kalon një krizë financiare. Nora tregon në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport se problemi ka qenë organizimi dhe jo vonesa, pasi edhe në të shkuarën ka pasur situata të tilla. Më pas drejtori i ri tregon se ka pasur ndryshime në radhët e aksionarëve, por edhe objektivat e skuadrës në këto dy ndeshje.
“Edhe unë e kam ndjekur me keqardhje këtë situatë. Do të theksoja se problemi më i madh është mënyra e organizmit se problemi financiar. Kemi pasur vonesa dhe më parë, por këtë radhë edhe për fajin tonë si klub kanë dalë në pah dhe janë zmadhuar më shumë se duhej. Kam qenë prezent në mbledhjen e fundit dhe u është premtuar se do të zgjidhet për një javë kjo vonesë për financat. Është një situatë që do të kalojë shumë shpejt”.
“Dua të them vetëm atë që na është transmetuar ne. Do të zgjidhet brenda javës problemi, por ne duam që të marrim 4 pikë në këto dy ndeshje”.
“Pagesat janë problem për ta, por janë lojtarë që kanë 3 vjet, dhe nëse nuk do kishim besim do ishin larguar. Kemi pasur dhe më parë vonesa, por problemi ka qenë organizimi. Janë mbështetur te trajneri dhe kjo gjë ndikon shumë”.
“Në dijeninë time nuk ka pasur përplasje mes aksionarëve. Një prej ish-aksionarëve ka shitur aksionet”.