Një sponsor për Superioren

0

Vera e këtij viti mund të jetë një kulm i rëndësishëm financiar për Kategorinë Superiore, teksa pas disa vitesh përpjekjesh, më së fundi mund të krijohet mundësia që kampionati shqiptar të ketë një sponsor të personalizuar, çka do t’i jepte mundësinë klubeve t’i rrisnin dhe më shumë të ardhurat e tyre. Ky projekt ka nisur disa vite më parë dhe çmimi që FSHF i ka vënë në parim kampionatit ka qenë minimumi 300 mijë euro, shifër që si fillim mund të jetë dhe më e ulët, por më shumë se sa sasia e parave, është e rëndësishme të theksohet që ajo që është një ndër ligat e vetme në Europë që nuk ka një arkë të sajën, tanimë do ketë mundësinë e thithjes së donacioneve.

Të ardhurat dytësore të klubeve në kampionat po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. E drejta televizive tanimë është një realitet i rëndësishëm, ndërkohë që fondi i solidaritet i UEFA-s është gjithashtu një mundësi ë e mirë për të balancuar disi shpenzimet e larta. Përveç sponsorit gjeneral, ajo çka pritet të ndodhë para fillimit të kampionatit është dhe shpërblimi i skuadrave që fitojnë trofe. Për herë të parë pritet që Superkupa të ketë një shpërblim financiar, ndërkohë që kuotat e skuadrave që fitojnë titullin dhe kampionatin do pësojnë një rritje të konsiderueshme. Për momentin skuadra që del kampion në Shqipëri përfiton 100 milionë lekë të vjetra, ndërsa ajo që fiton kupën 50 milionë, shifër deri diku shumë e vogël në raport me shpenzimet e mëdha që bëjnë klubet për të arritur këto objektiva madhorë.

Në fund është e pashmangshme të bësh një apel, dhe për shtetin. Në kushtet kur sporti është gjithsesi një promovim vlerash, kampionati kombëtar mund dhe duhet shoqëruar dhe me shpërblime nga ana e buxhetit të shtetit. Në fund të fundit, klubet më shumë se po fitojnë para, po mbajnë gjallë sportin nga cepi në cep. Sa shumë t’i lirosh nga xhepat që po shkunden vit pas viti, aq më mirë është.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.