Një milion falenderimet e CR7-ës: Më kuptoni, ishte momenti!

Kristiano Ronaldo është zyrtarisht pjesë e Juventusit. Sulmuesi portugez ka pritur zyrtarizmin nga ana e klubit për të publikuar dhe një letër që siç duket e kishte përgatitur që më parë. Ronaldo i shpreh mirënjohjen klubit madrilen, por në të njëjtën kohë e thekson se ka qenë ai që e ka kërkuar largimin nga spanjollët. 33-vjeçari i rreshton të gjitha sukseset e arritura me bluzën e Realit dhe në fund veçon se për të fanella e këtij klubi do të jetë gjithnjë e veçantë për të.

LETRA E RONALDOS – “Këto vite te Reali i Madridit dhe në këtë qytet kanë qenë ndoshta më të lumturit e jetës sime. Kam vetëm ndjenja jashtëzakonisht të mëdha mirënjohje për këtë klub dhe për këtë qytet. Unë mund vetëm t’i falënderoj të gjithë për dashurinë dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Gjithsesi besoj se ka ardhur koha të nis një fazë të re në jetën time dhe kjo është arsyeja pse e pyeta klubin për të pranuar transferimin tim. Kjo është ajo që ndjej dhe u kërkoj të gjithëve, sidomos fansave të mi, të më kuptojnë.

Kanë qenë 9 vite absolutisht të mrekullueshme, kanë qenë 9 vite unike. Ka qenë një periudhë emocionuese për mua, me shumë pritshmëri, por edhe e vështirë. Kjo pasi në Real Madrid ka shumë kërkesa, por unë e di shumë mirë që kurrë nuk do harroj mënyrën unike se si e kam përjetuar futbollin këtu.

Kam pasur shokë skuadre të paparë në fushë dhe në dhomat e zhveshjes, kam ndjerë ngrohtësinë e tifozëve dhe së bashku kemi fituar 3 Champions radhazi dhe katër në pesë vitet e fundit. Dhe me ta, gjithashtu, erdhën edhe trofe individual. Kam përjetuar fitimin e katër “Topave të Artë” dhe 3 “Këpucëve të Arta”. Të gjitha këto përgjatë këtyre viteve në një klub të jashtëzakonshëm. Real Madrid ka fituar zemrën time dhe atë të familjes sime. Kjo është edhe një arsye më shumë për t’iu thënë faleminderit: faleminderit, klubit, presidentit, administratës, kolegëve të mi, trajnerëve, doktorëve, fizioterapistëve dhe punëtorëve të mrekullueshëm dhe të palodhshëm në këtë klub, që bëjnë që gjithçka të funksionojë në mënyrë perfekte çdo gjë deri në detaj.

Faleminderit pafundësisht edhe një herë fansave dhe futbollit spanjoll. Përgjatë 9 viteve këtu kam pasur mundësin të luaj përballë lojtarëve të mëdhenj. Respekti dhe mirënjohja ime shkon për të gjithë ata.

Kam reflektuar shumë dhe e di se ka ardhur koha për një cikël të ri. Po iki, por kjo bluzë, kjo stema dhe ‘Santiago Bernabeu’ do vijojnë të jenë pjesë e imja, pavarësisht se ku do jem.

Faleminderit të gjithëve, sigurisht, sikurse kam thënë për herë të parë në këtë stadium para 9 vitesh: Hala Madrid!”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *