“Kemi një sulmues nga Qipro qe ka bërë 16 gola, por ishte i huaj dhe në krahasim me lojtarin shqiptar qe njeh morëm Shkurtajn. Merkato është e hapur”, u shpreh pak ditë më parë presidenti i Kukësit Safet Gjici, në emisionin “Fair Play” në “Ora News”. Edhe pse verilindorët janë të bindur se Shkurtaj do të luajë për ta në gjysmën e mbetur të edicionit, ende nuk ka një konfirmim nga ana e lojtarit.
Teorikisht numri një i klubit zbuloi se e ka gati alternativën nëse Shkurtaj nuk do të bashkohet me nënkampionët. Siç mësohet, bëhet fjalë për kroatin e lindur në Bosnje Anton Maglica. Sulmuesi ka realizuar edicionin e shkuar 16 gola në 26 ndeshje me skuadrën e Apollonit që të renditet e dyta. 27-vjeçari është një prej sulmuesve më të mirën në Qipro dhe duket se te Kukësi e kanë shënjestruar, edhe pse nuk do të jetë e lehtë për ta bindur që të ndryshojë destinacion.
Kukësi do ta mbyllë merkaton dimërore ende pa nisur mirë, me synimin që lojtarët e rinj të adaptohen me skuadrën gjatë fazës përgatitore dhe që në fillimin e fazës së dytë ta ndihmojnë ekipin. Edhe pse bëhet fjalë për një lojtar të huaj, Kukësi ka larguar Shpeharin dhe me shumë mundësi edhe Toure do të marrë valixhet, por nuk përjashtohet mundësia që të largohet dhe ndonjë tjetër lojtar me pasaportë të huaj.