Krenar Zeneli! Ky është bokseri i ri nga Vlora që ka pushtuar Shqipërinë me medaljet e fituara në kampionatet e vendit. Jo pak, por 14 herë është shpallur kampion i Shqipërisë. Kjo do të thotë shumë për të dhe potencialin që ka për të ecur përpara.
Gjithashtu një medalje argjendi në lojërat e Mesdheut dhe në Ballkanik, kanë dëshmuar se “Krenar(ia) e Vlorës” është gati për t’u përballur edhe me boksierë jashtë Shqipërisë. Zeneli ndeshet në peshën 60 kg dhe numëron tre ndeshje në boksin profesionist, të treja fitore. Ndeshja e fundit është zhvilluar para dy ditësh ndaj një boksieri zviceran dhe e mbyllur sërish me “fund të lumtur”.
Në fakt, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Siç e thotë edhe vetë boksieri për Sport Ekspres, gjithçka lidhet me punën e vazhdueshme dhe kjo të rrit edhe në anën psikologjike. “Unë personalisht mendoj se përgatitja psikologjike lidhet me stërvitje, kur ti stërvitesh shumë dhe e do shumë punën që bën, vetbesimi rritet gjithmonë dhe mendoj se stërvitja e fortë është vetbesim i fortë. Kam shumë synime dhe objektiva, por më kryesorja është kualifikimi për në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe ndonjë nga titujt botëror në boksin profesionist”, tha Zeneli.
Por sa e vështirë është për të që të ndjek këtë rrugë në Shqipëri dhe a e ka Zeneli një model për ta ndjekur? “Patjetër që është e vështirë, si kudo tjetër në sport. Por në boks është edhe pak më e vështirë duke ditur se dëmtimet janë të shpeshta. Kam 15 vite që stërvitem me çdo problem, por dua të arrij qëllimet e mia. Sa i përket boksierëve të mi të preferuar nuk kam asnjë idhull nga boksierët shqiptarë. Boksieri im i preferuar është Lomachenko, një boksier ukrainas që është kampion botë. Një ndër më të mirët e të gjitha kohërave dhe që është në të njëjtën kategori peshe si unë”, tha Zeneli. /Sport Ekspres/