“Thjesht duhet t’i shkosh pasionit, thjesht duhet t’i shkosh futbollit të pastër, thjesht duhet të kontribuosh atje ku ka nevojë”, këto janë fjalët e para të Stavri Nicës, durrsakut të njohur që tanimë drejton Devollin në Kategorinë e Dytë. Ajo çka thotë shpjegon edhe pse e ka pranuar këtë ofertë, duke vendosur një rekord, pasi brenda një sezoni ka drejtuar në Superiore, në të Parën dhe në të Dytën.
“Jeta është lëvizje. Derisa të kesh mundësi intelektuale dhe fizike, mendoj se njeriu duhet të lëvizë, duhet të kontribuojmë që të paktën atë përvojë që kemi ta japim aty ku mundemi, aty ku na kërkojnë, aty ku na respektojnë”, shton Nica në një speciale të përgatitur nga Supersport. Nomadi i trajningut rrëfen karrierën.
HAPAT E PARË – Nica e ka nisur gjithçka nga Durrës: “Sigurisht që në Durrës u formova si trajner. Mora bazat në shkollën e fizkulturës. Ishte një shkollë shumë e fortë, me pedagogë shumë të aftë. Ata ishin shumë të ashpër, por na kanë shërbyer shumë që edhe ne të jemi shumë kërkues, shumë të disiplinuar. Lexojmë edhe literaturë të huaj dhe baza është disiplina e kërkesa e llogarisë. Ato të çojnë në rritjen profesionale dhe në dhënien e rezultateve”.
Durrsaku ishte zëvendëstrajner te Teuta në vitin 1994, vit kur edhe “Djemtë e Detit” fituan titullin kampion: “Ishin kohë shumë të bukura. Kolegët e mi këtu në Durrës e përgatitën për vite me radhë. Pra nuk ishte një rastësi fitimi i titullit kampion nga Teuta. Ishin njerëz shumë seriozë dhe mund të përmend Ed Zallën, i cili është një nga trajnerët e kohës, shumë i aftë. Kolegu i tij Mond Miho, gjithashtu dha shumë për futbollin. Ata krijuan një bazë, mendoj unë dhe jam shumë i përgjegjshëm për këtë që them, të formimit të trajnerit”.
DEKLARATA E DJALIT– Djali i tij, Denisi, tregon edhe një ngjarje që ndodhi kur fituan titullin kampion: “Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, pasi isha 7 vjeç dhe isha në pankinë. Në momentin kur triumfoi Teuta, i gjithë stadiumi u fut në fushë dhe unë në ato momente nuk shihja babin. Kishte jashtëzakonisht shumë njerëz dhe unë e vetmja gjë që mendoja ishte se si do të kthehesha në shtëpi. Ishte një gëzim shumë i bukur”.
“Ka qenë një emocion i dyfishtë, pasi e shikoja edhe si baba, edhe si trajner. Çdo fitore apo disfatë përjetohej. Shikoja përkushtimin dhe pasionin që kishte. Kur vinte dita e ndeshjes, çdo fitore apo disfatë përjetohej shumë nga ana ime. Nëse ekipi do triumfonte, do dija dhe do besoja që do ishte fryti i punës dhe i sakrificës së përditshme në stërvitje. Besoj se ka dhënë shumë për futbollin shqiptar dhe është për t;u përgëzuar që jep akoma. Besoj se janë të rrallë trajnerët si profesor Stavri”.
SHTEGTIMI I SHPESHTË – “Durrësi më mungon, pasi është shoqëria, është familja, janë një sërë faktorësh. Kur përshtatesh në një qytet, lëvizjet kanë vështirësitë e veta. Megjithatë, kur të presin dhe të trajtojnë mirë, ndihesh mirë. Jeta është e shkurtër, ndaj edhe duhet të bësh sakrifica e të punosh atje ku ndihesh më mirë”.
“Pasioni është primar, për vite me radhë duhet të dalësh në fushë e të stërvitësh, qoftë të rinj, qoftë paratërinj, qoftë kategori të ndryshme. Po ta lësh këtë pasion, ma merr mendja quhesh i vdekur. Është pjesë e punës, e karrierës. Ka edhe gjëra të bukura, të paharrueshme. Ky profesion të bën që t’i mungosh familjes. Duhet të kishim menduar më shumë për familjen, megjithatë çuni ma fal”.
KUPA E SHQIPËRISË ME TEUTËN – Sezoni 2004-2005 ishte hera e fundit që Teuta fitonte trofe. Durrsakët çuan Kupën, pasi mundën Tiranën kampione në finale. “Periudhë shumë e bukur, një kënaqësi që ta kujtosh gjithmonë. Ndryshe ta përjetosh, e përjetoi edhe qyteti. Triumfi ishte një ngjarje e bukur dhe e paharrueshme.
LAÇI – “Atje e filluam pothuajse bashkërisht, me presidentin Pashk Laska. Ajo që ishte më e bukura aty, ishte se u binda unë dhe një masë që është dashamirëse, që mund të fillosh një punë nga e para dhe ta çosh deri aty sa të fitohet Kupa apo pjesëmarrja në Europë. Ishte një arritje shumë e madhe dhe ndihem shumë krenar që kam kontribuar dhe që kam arritur të krijoj një bazë të mirë atje. Kur kanë pasur nevojë kam qenë i gatshëm, sepse e kam konsideruar qytetin tim të dytë”.
DEVOLLI – “Është ambient tjetër, është një mentalitet shumë i mirë për futbollin. Ju i shikoni edhe kushtet që kanë krijuar këtu në stadium, që janë optimale. Në kulturën e kësaj punë janë kushtet. Drejtuesit janë shumë të impenjuar. Sa më shumë të sakrifikosh, aq më shumë ia ndjen lezetin punës. Njerëzit janë shumë të afrueshëm, të japin respekt. Lojtarët janë të dëgjueshëm. Ndihem sikur të jem te lagjja në Durrës”.
https://www.facebook.com/Digitalb/videos/431095870801016/