Roma pret Frozinonen sonte në “Olimpico”, ku do të kërkojë të rikthehet te fitorja dhe t’i japë fund krizës së lojës dhe rezultateve. Një ndeshje shumë e rëndësishme për trajnerin Di Françesko, por mbi të gjitha për kapitenin, Daniele De Rosi.
35-vjeçari do të regjistrojë ndeshjen e 600 në karrierë, të gjitha me bluzën e Romës mbi supe. Një rekord historik për mesfushorin, i cili debutoi me Romën me datë 10 tetor të vitit 2001, në ndeshjen përballë Anderlehtit në Champions, ndërsa debutimi në Serie A ndodhi me datë 25 janar të vitit 2003, në ndeshjen përballë Komos.
Me arritjen e shifrës 600 ndeshje me një ekip, De Rosi do të futet në kategorinë e disa lojtarëve të mëdhenj, të cilët kanë arritur dhe kanë kaluar këtë shifër.
E fillojmë me Françesko Totin, i cili ka luajtur 786 ndeshje me Romën. Vazhdojmë me Leo Mesin, i cili është akoma në aktivitet dhe ka arritur në kuotën e 644 ndeshjeve me Barcelonën, në të cilat ka shënuar 560 gola.
Nuk mund të mungonte Paolo Maldini. Legjenda e Milanit ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij me kuqezinjtë, me të cilët numëron 902 ndeshje të zhvilluara. Vazhdojmë me një tjetër milanist të famshëm si Franko Barezi, i cili zhvilloi 719 ndeshje me ekipin e “Djallit”, ku ishte kapiten i Milanit të famshëm të viteve 90.
Një tjetër lojtar, i cili ka kaluar shifrën 600 ndeshje me një ekip është Xhakinto Faketi. Anësori i majtë i mbrojtjes ka luajtur 634 ndeshje me Interin. Bepe Bergomi është një tjetër interist i famshëm, i cili ka luajtur 756 ndeshje me zikaltrit.
Radha iu takon dy legjendave të Mançester Junajtid: Rajan Gigs dhe Pol Skolls. Uellsiani ka zhvilluar 963 ndeshje me Junajtid, ndërsa mesfushori Skolls, i quajtur ndryshe ‘Heroi i heshtur’ numëron 718 ndeshje me “Djajtë e Kuq”. Në mesin e këtyre legjendave bën pjesë dhe gjermani Sep Majer, i cili numëron 599 ndeshje të zhvilluara me Bajernin e Mynihut. Një ndeshje më pak se De Rosi, por portieri i famshëm ka fituar gjithçka me bavarezët dhe Gjermaninë dhe e meriton të jetë pjesë e këtij grupi.
Renditja sipas numrit të ndeshjeve me një ekip të vetëm
Rajan Gigs – Mançester Junajtid (963 ndeshje)
Paolo Maldini – Milan (902 ndeshje)
Françesko Toti – Roma (786 ndeshje)
Bepe Bergomi – Inter (756 ndeshje)
Franko Barezi – Milan (719 ndeshje)
Pol Skolls – Mançester Junajtid (718 ndeshje)
Leo Mesi – Barcelona (644 ndeshje)
Xhakinto Faketi – Inter (634 ndeshje)
Daniele De Rosi – Roma (599 ndeshje)
Sep Majer – Bajern Mynih (599 ndeshje)