Në dy fazat e para të Kategorisë Superiore të këtij sezoni, në ecurinë e garës janë shfaqur edhe dukuri, të cilat kanë ecur paralel me të gjithë komponentët. Dhe këtë ecuri, ish-dinamoviti Aleko Bregu e shikon më të sigurtë, por që ai mendon se nga drejtuesit e klubeve duhet të bashkëpunohet më mirë me FSHF-në.
Një elementë që do ta përmirësojë cilësinë e garës në Superiore, për Bregun është Liga Profesioniste, e cila veç shumë punëve të tjera, duhet që të futë teknologjinë në Superiore. “Është koha që të futet teknologjia në Superiore, dhe këtë Liga Profesioniste duhet ta ketë në axhendën e saj. Ne si shqiptarë kalojmë shpejt në ekstrem duke imituar të keqen, sepse edhe tifozët nuk ndjehen shumë të përfaqësuar nga skuadrat e tyre”.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Skuadrat e Superiores kanë rinisur përgatitjet pas një pushimi dyjavor, do të ndikojë kjo hapësirë në rikuperimin fizik të ekipeve?
-Unë mendoj se ka qenë një periudhë dyjavore e domosdoshme për pushim te skuadrat e Superiores, edhe pse pas javës së 18-të ato nuk i mbyllën menjëherë përgatitjet. Rikuperimi i tyre do të jetë i shpejtë në këtë minifazë përgatitore dhe gjendja fizike e lojtarëve nuk do të ketë rënie.
Çfarë mundësi ofron kjo hapësirë një mujore pa aktivitet zyrtar në Kategorinë Superiore?
-Kjo varet nga programet që kanë ndërtuar trajnerët, ku dhe si do t’i zhvillojnë përgatitjet në këtë hapësirë pa aktivitet zyrtar. Kjo është një periudhë e shkurtër, që më shumë ndihmon në ruajtjen e formës së lojtarëve për dy fazat e tjera të Superiores, por edhe për Kupën e Shqipërisë.
Teknikisht mendoni se të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore e kanë të domosdoshme një hapësirë të tillë stërvitore?
-Natyrisht që po. Të gjitha skuadrat duhet t’i kenë bërë planet e tyre për këtë minifazë përgatitore. Tradicionalisht ka patur një ndërthurje mes përgatitjeve, merkatos e ndeshjeve miqësore. Nisja e gjysmës së dytë të sezonit me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë do t’i ndihmojë më shumë skuadrat në përshtatjen e tyre.
Cilët i mendoni si treguesit më negativë të garës në Superiore për dy fazat e para të saj?
-Që nisi me dhunë ky sezon. Besoj se ishte njëra nga mangësitë e tij, por që vazhdoi me shumë dënime për tifozët, edhe ky është një tregues i tillë në këtë sezon. Ne si shqiptarë kalojmë shpejt në ekstrem duke imituar të keqen, edhe pse tifozët nuk ndjehen shumë të përfaqësuar nga skuadrat e tyre.
Kanë patur ndikim gjykimet e arbitrave në ndeshjet e dy fazave të para?
-Arbitrat në këtë sezon të Kategorisë Superiore kanë treguar nivel më të ulët se sa kërkon kjo kategori. Me ndonjë përjashtim, ku kemi parë gjykime me nivel e dinjitet, do të thoja se është koha që të futet teknologjia në Superiore. Këtë Liga Profesioniste duhet ta ketë në axhendën e saj.
Si e mendoni renditjen e Kategorisë Superiore në përfundimin e këtij kampionati?
-Besoj se kjo renditje do të jetë deri në fund, pa përjashtuar edhe ndonjë surprizë, si në krye, ashtu edhe në fundin e tabelës. Partizani, Kukësi e Teuta do të rivalizojnë për titullin, Laçi dhe Flamurtari për Europën, ndërsa Luftëtari e Kastrioti janë më të rrezikuarit për të rënë nga kategoria.