Futbolli është i çuditshëm, ofron histori të pabesueshme dhe të jep mesazhin se asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh, ashtu si asnjëherë nuk duhet të nxitohesh në gjykimin ndaj dikujt, lojtar, trajner apo klub qoftë.
Rasti më domethënës? Vinçenco Montela, i larguar me ceremoni nga Milani, aty ku lojtarët nisën të ankoheshin se nuk stërviteshin aq sa duhej. Montela nuk u përgjigj, iku të Sevilja, ku e nisi shumë keq. Si mund të bëhesh armik me tifozët e Seviljes? E thjeshtë, humbet derbin me Betisin. Montela e teproi: humbi në shtëpi, pësoi rekord golash. Maradona e ofendoi, në Itali bënin humor, Montela sërish nuk foli, vazhdoi punën.
Tani vjen shpërblimi: Sevilja është kthyer në nivelin e saj dhe Montela ka bërë një mrekulli, duke eliminuar Mançester Junajtid me fitore në Angli dhe dy paraqitje perfekte, aq sa Zhoze Murinjo i bëri komplimente.
Në Itali mbaruan batutat, nisën elozhet dhe si zakonisht nisi dasma: nuk ka si trajnerët italianë!
Gazzetta dello Sport ka intervistuar trajnerin e Seviljes dhe Montela mundohet të ruajë modestinë, por tani një përgjigje më humor e ka: “Lojtarët e Milanit ankoheshin se stërviteshin pak? Këta të Seviljes ankohen se stërviten shumë. Ec e merre vesh… Gjithsesi, nuk kam pengje dhe as brerje ndërgjegjeje, isha një trajner ndryshe nga ai që kërkonin ata”.
Në Sevilje tani e adhurojnë: “Dashuria është reciproke. Jam krenar që isha pjesë e një ndeshje historike, fituam në një stadium legjendar dhe ishte një mbrëmje magjike”.
Tani pritet shorti: “Tani e ndiej se do të ndeshemi me Bajernin. Gjithsesi, uroj të ndeshëm sa më vonë me Romën e mikut tim Di Françesko, nëse shkojmë larg të dyja palët”.