Një gol! 90 minuta për t’u luajtur! Finalja e parë e këtij sezoni për Laçin. Ndaj Anorthosis kurbinasit duhet të rikuperojnë humbjen 2-1 në ndeshjen e parë dhe misioni nuk duket i pamundur. Për mbrojtësin Taulant Sefgjinaj, shanset ekzistojnë.
“Shanset i kemi, por duhet të kemi kujdes si në ndeshjen e parë. Duhet të kemi kujdes dhe të luajmë si në Qipro, raste kishim. Nuk duhet as ti nënvlerësojmë, por edhe as ti mbivlerësojmë. Duhet të kemi kujdes mos të pësojmë gol, ajo është më e rëndësishmja dhe do të shënojmë me patjetër”, tha Sefgjinaj për “Super Sport”.
Arma e Laçit në ndeshjen e kthimit do të jenë tifozët dhe grinta që ata i përcjellin skuadrës. Kjo nuk ka dyshime. “Anorthosis e kishte ekipin shumë të mirë dhe me eksperiencë, por me grintën që kemi ne dhe me çuna të rinj, do të vrapojmë dhe të japim maksimumin”, shtoi 31-vjeçari.
Më tej, mbrojtësi foli edhe për atë që skuadra e Prengës duhet të bëjë për të shpresuar te kualifikimi në turin e dytë të Europa League. “Duhet të kemi më tepër saktësi përpara portës. Rastet i krijojmë, ashtu si në ndeshjen e parë me 5-6 të tilla, por duhet të jemi më të qartë. Jemi në formë, e kemi marrë veten. Do të japim maksimumin dhe shpresojmë që të fitojmë”, tha lojtari Sefgjinaj.