Një emër i ri për stolin e Milanit, propozim nga agjenti i famshëm

Xhenaro Gatuzo ka dhe një shans për të vazhduar të qëndrojë në pankinën e Milanit. Ndeshja e së shtunës kundër Spalit duhet fituar me çdo mënyrë, përndryshe trajnerit i duhet të bëjë valixhet gati.

Arsen Venger mbetet një nga kandidatët për t’u ulur në stolin e kuqezinjve, por problem mbetet paga e tij e lartë dhe fakti që dëshiron të jetë vendimtar në merkaton e klubit. Megjithatë, ai vazhdon të jetë një emër që po qarkullon në zyrat e klubit të “Djallit”.

Një tjetër emër që preferohet është dhe Roberto Donadoni. Ish-mesfushori i Milanit pëlqehet shumë nga tifozët dhe shihet si personi i duhur për të ngritur Milanin. Por, një tjetër emër ka dalë në skenë.

Zhardim dhe Mbape kur ishin pjesë e Monakos

Siç raporton “Calciomercato”, Zhorzh Mendesh, agjenti i famshëm, i ka propozuar Leonardos emrin e Leonardo Zhardim. Portugezi ndodhet pa punë për momentin pas përfundimit të aventurës me Monakon. Ai është një trajner që punon shumë mirë me lojtarët e rinj, ka eksperiencë ndërkombëtare, pasi ka arritur të dërgojë ekipin nga Principata në gjysmëfinalet e Champions Ligës dhe preferon një futboll ofensiv.

Të gjitha këto karakteristika përputhen me stilin e kuqezinjve dhe linjën e projektit Eliot për të ardhmen, ndërsa Leonardo dhe Maldini po e mendojnë seriozisht propozimin e agjentit të famshëm për patriotin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *