Trajneri Nikaj optimist: Me Bocin, Zefin e Hajdarin, apo 4-5 lojtarë të talentuar, ndërtojmë një klub me strategji”
Bujar Balliu
Samuel Nikaj ka besim se sezonin e ardhshëm Kastrioti që ai po ndërton do të jetë një nga ekipet më solide në grupin e Veriut, por mbi të gjitha pretendenti kryesor për të synuar rikthimin në Superiore. Trajneri Nikaj e bazon realizimin e objektivit, në kushtet e mira të krijuara nga presidenca, e sidomos afrimet në merkato, e cila po bazohet kryesisht tek kualitete dhe futbollistë që kanë eksperiencë të gjatë në Superiore por edhe në Kategorinë e Parë. “Po punojmë fort për të krijuar një ekip ku karakteristik të ketë luftën e fortë sportive. Do ndërtojmë një skuadër ofensive dhe do bëjmë një futboll atraktiv në mënyrë që sa më shpejt të bëjmë për vete edhe tifozerinë krutane që është shumë e rëndësishme për arritjen e objektivit, pasi është lojtari i 12-të. Në ekip, po punohet fort që të afrohen lojtarë që kanë stimuj për karrierën në vazhdim dhe jo lojtarë që vijnë sa për të marrë rrogën. Kjo metodë nuk është në praktikën time të punës, dua lojtarë që të vrapojnë sa më shumë në stërvitje dhe ndeshjet zyrtare për të garantuar sukses”, – u shpreh fillimisht trajneri Samuel Nikaj, i cili pak ditë më parë zyrtarizoi kalimin e tij në krye të ekipit krutan.
SYNIMET – “Ekipi do të filloj përgatitjet ditën e hënë me lojtarët që kanë rinovuar nga sezoni i vjetshëm, plus edhe me Kukën, Mziun dhe Cacën dhe që kanë arritur akordin verbal me drejtuesit. Gjithashtu do të synohen edhe 3 ose 4 lojtarë të nivelit të lartë me të cilët ka pasur edhe kontakte, siç janë: Alis Boci, Alfred Zefi, Arsen Hajdari, e ndonjë tjetër plus. Do të punohet në afrimin e 4 ose 5 lojtarëve të rinj me kontrata 3 vjeçare që t’i promovojmë, dhe në të ardhmen të mbushim arkat e klubit me shitjen e ndonjërit prej tyre. Strategjia e klubit është e qartë, dalja në Superiore dhe qëndrimi për një kohë të gjatë në Elitë, pasi emri dhe tradita nuk i mungon Kastriotit”, – ka përfunduar prononcimin e tij trajneri i Kastriotit, shkodrani Samuel Nikaj.
Edhe Borshi në Krujë
Goditja e radhës për Kastriotin quhet Ergi Borshi. Mesfushori 21-vjeçar nga Shkodra asnjëherë nuk ka pasur hapësira të mëdha në Shkodër, duke u detyruar të luajë herë te Veleçiku e herë te Tërbuni, ndërsa sezonin e fundit luajti te Teuta.
Në Durrës luajti vetëm 557 minuta në Superiore, shifër që nuk e ka kënaqur mesfushorin, i cili tashmë ka pranuar ofertën e Kastriotit. Në Krujë gjen Nikajn, një tjetër shkodran, i cili i njeh mirë talentet e Shkodrës dhe po mundohen të afrojë disa prej tyre.