Kastrioti pret Teutën nesër në Fushë-Krujë, ndërkohë që para këtij takimi ka folur trajneri Stavri Nica. Durrsaku vlerëson maksimalisht kundërshtarin dhe thekson se duhet shumë përqendrim në këtë takim, pasi luajnë ndaj një ekipi mjaft të fortë.
“Sigurisht ka qenë një javë intensive, pasi më është dashur mua dhe kolegëve të mi të karikojmë grupin për ndeshjen e radhës, që është e vështirë dhe luhet ndaj një kundërshtari që ka moral të lartë. Ata janë mirë në renditje dhe luajnë mirë futboll. Kanë lojtarë cilësorë brenda dhe vështirësia sa vjen e rritet. Duhet të bëjmë të kundërtën e asaj që bëmë me Tiranën, duhet impenjim dhe përqendrim për t’u rritur në mënyrën e lojës që të marrim pikë”, u shpreh Nica fillimisht.
Tekniku i krutanëve nuk dorëzohet, edhe pse skuadra e tij një javë më parë u mund nga Tirana 4-0. “Besojmë dhe bindshëm, pasi luajmë në fushën tonë. Arsyet janë të shumta për të menduar fitoren. Përfundimisht asgjë nuk është e pamundur”, shtoi durrsaku.
Nica, për takimin me Tiranën, nuk fajëson vetëm një repart. “Nuk e mendoj se nuk ka funksionuar sulmi. Këtë javë nuk ka funksionuar e gjithë skuadra, nga portieri deri te sulmuesi. Po nuk funksionoi skuadra, pastaj fajin mund t’ia vësh kujtdo. Kërkohet përqendrim maksimal dhe zbatim detyrash”.
Në fund dy fjalë edhe për merkaton: “Duhet të diskutojmë, plane kemi. Akoma nuk ka gjëra konkrete. Shpresojmë dhe do ngul këmbë për plotësimin e skuadrës ku ka nevojë. Të shohim sa do të mbështetemi”.