Nga veriu në jug, Allmuça e Miho “kërcënojnë” kryesuesit

Vllaznia dhe Bylisi kryesojnë në grupet A dhe B të Kategorisë së Parë, ndërkohë që kjo fundjavë rezervon sfida të vështira për ta. Shkodranët luajnë në transfertë me Dinamon, ndërkohë që ballshiotët presin në fushën e tyre “armiken” e vjetër, Apoloninë. Situata që kanë skuadrat në renditje, pritet që të sjellë sfida interesante, ndoshta edhe nga historia që këto skuadra kanë mes tyre.

ALLMUÇA – Skuadra e Dinamos është në ngjitje të rezultateve të saj, dhe fitorja në transfertë në javën e 11-të ndaj Besëlidhjes në Lezhë, i ka dhënë ekipit të drejtuar nga Igli Allmuça, besimin për të tjera rezultate pozitive.

“Ndaj Besëlidhjes, skuadra funksionoi mirë dhe shpirti i garës që tregoi ekipi, mendoj se sollën këtë fitore të merituar”, kështu theksoi Allmuça në deklaratën e tij, por që për ndeshjen e radhës me Vllazninë, duket se nuk i “frikësohet” emrit dhe aktualitetit të skuadrës shkodrane.

“Ne çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht. Edhe Vllazninë po kështu, ndaj do kërkojmë tri pikët. E dimë që do të jetë një përballje e vështirë. Tashmë e kemi “harruar” fitoren në Lezhë  dhe që sot po nisim përgatitjet anti-Vllazni. Besoj se do t’ja dalim në synimin tonë”.

MIHO – Apolonia fitoi një ndeshje të vështirë ndaj Besës, edhe pse ky takim i javës së 11-të u luajt në “Loni Papuçiu” të Fierit. Për trajnerin fierak Mariol Miho, kjo ishte një fitore që duhet të ishte edhe më e thellë.

“Ishte një ndeshje e vlerësuar nga ne, dhe ashtu sikundër erdhi situata në lojë, ne dominuam tërësisht. Duhet të fitonim më thellë, edhe pse Besa në çdo moment na vuri në vështirësi”. Ndërkohë që për ndeshjen e radhës me Bylisin, Miho kërkon përsëri tri pikët.

“Bylisi morri kreun e Grupit B, por kjo nuk na pengon që në Ballsh ne të kërkojmë tri pikët. Do të jetë një ndeshje e fortë, por Apolonia i ka mundësitë që ta kalojë me sukses”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *