Ndoshta është një mallkim i Romës, ndoshta thjesht Malkom nuk vlen, apo e vërteta më e madhe, Barcelona bëri një gafë kolosale, duke blerë një lojtar pa e pyetur fare trajnerin.
Kjo është historia e brazilianit Malkom, të paktën në këto muaj të parë në Spanjë, aty ku u prit si fenomen dhe tashmë është kthyer në rezervën e rezervave.
Talenti brazilian në verë u bë i famshëm vetëm për një gjë: Po merrte avionin për të shkuar në Romë ku prisnin të firmosnin dhe të prezantohej, por me pas ndryshoi gjithçka dhe futi hundët Barcelona.
41 milionë euro plus bonuse Bordosë, premtime të mëdha 21-vjeçarit dhe Roma mbeti me gisht në gojë, duke akuzuar Barcelonën për pabesi dhe mungesë ndershmërie.
Gjithsesi, tani është Roma ajo që qesh, sepse Malkom nuk ka luajtur fare në Barcelonë dhe është kthyer në objekt humori, ashtu si Barça që nuk dihet pse e bleu, kur në sulm kishte plot lojtarë dhe është e qartë që Mesi, Suarez, Dembele e Kutinjo janë shumë më lart në hierarki.
Tani Mundo Deportivo shkruan se Malkom i ka kërkuar trajnerit Ernesto Valverde ta lejojë të largohet në janar, për të luajtur rregullisht gjetkë, sepse te Barça është e qartë që nuk ka vend për të. Natyrisht, trajneri blaugrana nuk është kundër, por klubi nuk dëshiron të humbasë financiarisht dhe po sheh a vijnë oferta të rëndësishme, edhe pse huazimi është më i mundshëm, sepse lojtari është ende shumë i ri dhe mund të shpërthejë në të ardhmen.