Mesfushori i njohur kuçovar Florian Kopaçe, i cili në sezonin e kaluar ishte një nga futbollistët më të spikatur tek skuadra e Tomorit në Kategorinë e Parë. Gjatë verës së kaluar ka synuar që nëpërmjet një testi të zhvilluar në futbollin gjerman në një nga kampionatet inferiore të këtij shteti, pasi nuk ka mundur që të realizoj ëndrrën e tij të madhe, është rikthyer sërish në futbollin shqiptar.
Por këtë radhë në kategorinë e dytë tek skuadra e Skraparit, aty ku dhe ka gjetur disa nga ish shokët dhe kolegët e tij të njohur tek Naftëtari si Sajmir Gega, Endri Koroveshi dhe Enea Kajo. Dhe pasi ka zbritur në fushë për disa minuta të dielën e kaluar në ndeshjen Skrapari – Tepelena, futbollisti i spikatur tek Naftëtari dhe Tomori është shprehur në lidhje me këtë përzgjedhje të tij.
“Kam zgjedhur që të luaj në kategorinë e dytë tek Skrapari, pasi kur u mbyllën federimet e Kategorisë së Parë dhe më konkretisht tek Tomori unë isha në provë në Gjermani. Për mua oferta e çorovodasve erdhi natyrshëm dhe ishte një zgjedhje e drejtë nga ana ime, jo vetëm se aty janë miqtë e mi kuçovarë, por edhe se sponsori Hysen Caka dhe drejtori teknik Madrid Muxhaj më dhanë garanci se Skrapari do të synoj rikthimin në të Parën, dhe unë do të jap maksimumin tim për këtë skuadër me eksperiencën që kam”, ka përfunduar mesfushori i spikatur kuçovar që ka bërë këtë zgjedhje surprizë në këtë kampionat.
Edi Spahiu