Nga Shqipëria te Shqipëria, odiseja e “tradhtarit” Loret Sadiku

Është 27 vjeç, në kulmin e karrierës, është pak suedez dhe shumë shqiptar, por për 5 vite të gjata ka mbetur pezull, mes Suedisë, Shqipërisë e Kosovës.

Tani Loret Sadiku kthehet bujshëm në Kombëtaren shqiptare, për të qëndruar dhe për t’u bërë pikë referimi, sepse është një lojtar me cilësi të shkëlqyera, që jo rastësisht është titullar prej vitesh në Superligën turke, kampionat mjaft i vështirë.

Por si do të pritet djaloshi nga Prishtina nga tifozët shqiptarë? E vështirë të thuhet, bëhet fjalë për një lojtar që ka një histori të rrallë, duke u cilësuar deri në “tradhtar” nga ata që nuk durojnë “jo” si përgjigje, as “ndoshta” dhe nuk duan t’ia dinë për prapaskenat e grumbullimit apo largimit të lojtarëve nga kombëtarja.

Image result for Loret Sadiku De Biasi

Në vitin 2013 Sadiku ishte një ndër talentet e mëdhenj të futbollit suedez, titullar tek Helsingborgu dhe tek Suedia U21. Vendosi të kalonte te Shqipëria, për lidhjen e gjakut, për faktin se Kosova e tij nuk dihej kur do pranohej në FIFA e UEFA dhe për faktin se ndoshta e ndjente që tek Suedia nuk do kishte hapësira të mëdha.

Sadiku u ftua për një ndeshje nga Shqipëria, ku nuk luajti, ndërsa mori pasaportën shqiptare, por ndërkohë Kosova e kërkoi për një miqësore jozyrtare. Ishte koha kur Kosova po mundohej të ndërtonte skuadër, në pritje të ëndrrës së madhe, por kjo i hapi probleme Sadikut. Mbrojtësi, sepse në atë kohë ishte qendërmbrojtës me të ardhme të rëndësishme, u fut në konflikt me federatën tonë dhe trajnerin De Biazi dhe që atëherë u zhduk nga radarët.

Ndërkohë, rritja e tij profesionale po ecte shumë mirë, sepse në vitin 2014 kaloi tek Mersin Idman në Turqi dhe në verën e vitit 2016 Kasimpasha e bleu për 250 mijë euro.

Image result for Loret Sadiku De Biasi

Që ateherë, mesfushor “digë” para mbrojtjes, titullar çdo sezon dhe tashmë vlen 1.25 milionë euro në treg, sipas transfermarkt.de.

Te Kosova nuk shkonte dot, edhe pse luajti disa miqësore, për shkak se e kishte ndryshuar një herë kombëtaren, ndërsa as te Suedia nuk kthehej dot, për të njëjtën arsye, kërkesën për të shkuar te Shqipëria.

Tani, me gjakftohtësi, Shqipëria dhe Sadiku e kanë kuptuar që kanë nevojë për njëri-tjetrin, një marrëdhënie dashurie plot luhatje e nerva, por fundja është futboll, jo luftë. Duhet të dimë të falim, Sadiku do të na rifitojë të gjithëve…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *