Nga Olimpakosi, në Shqipëri e Kroaci: zbërthehet Myrto Uzuni

Myrto Uzuni ia doli dhe e ka bërë me punë. Anësori mund të kishte qenë pjesë e Olimpiakos, por fati ka dashur që beratasi të përjetojë një tjetër trajektore dhe rrugëtimi në futbollin tonë nisi nga Shqipëria. Tomori, Apolonia dhe Laçi.

Një sezon i mirë në Superiore, gol ndaj Anorthosis Famagusta dhe tanimë Uzuni ka bërë hapin tjetër. Sulmuesi anësor do provojë vetën në kampionatin kroat te Lokomotiva e Zagrebit. Për “Sport Ekspres” Uzuni nuk është kursyer dhe ka folur për gjithçka.

INTERVISTOI: ELTON ÇELA

Myrto, kjo ishte një verë e gjatë në pritje të një transferimi që erdhi vetëm në fund. Pate frikë një moment se do mbetesh edhe këtë sezon në Superiore?
-Të them të drejtën edhe kisha pak frikë se do të mbetesha sërish në Kategorinë Superiore. Por shpresën nuk e humba, se e di që çdo gjë është në dorën e Zotit dhe ai di kur vendos.

Pak ditë në Zagreb, si ju është dukur qyteti?
-Më kanë treguar se është i bukur, por ende se kam parë. Janë vetëm ditët e para dhe unë kam qenë i fokusuar tek stërvitja dhe procedurat e dokumentacioneve.

Po skuadra?
-Më duket një skuadër e mirë dhe me cilësi. E shoh pozitive, pasi do të ketë konkurrencë. Si kudo konkurrenca e forcon skuadrën.

A jeni ndjerë i pranuar aty nga shokët e skuadrës?
-Më kanë pritur mirë të gjithë nga klubi, stafi teknik dhe shokët e skuadrës. Menjëherë e ndjej se jam bërë pjesë e tyre.

Si ishte prezantimi në ndeshjen e parë miqësore me Lokomotivën?
– Prezantimi i parë ishte i bukur dhe emocionues. Mund ta quaj prezantim shumë të mirë, si për veten, edhe për skuadrën. Kjo pasi fituam me rezultat të pastër.

Cilat janë komentet që keni marrë nga miqtë e tu pas këtij transferimi?
-Komentet dhe mesazhet kanë qenë të shumta nga të gjithë miqtë dhe ndjekësit e mi. Fatmirësisht të gjithë e shohin njësoj si unë: kjo do të jetë trampolina ime e madhe.

Kujt ia dedikoni këtë transferim?
-Kam shumë njerëz për të falënderuar, që më kanë shoqëruar në këtë rrugë. Por do të veçoja familjen time dhe personin e zemrës, të cilës i dedikoj edhe golat. Vetë mënyra ime  e festimit besoj e tregon këtë.

Gjithmonë është parë një afrimitet me babanë tuaj. Sa i rëndësishëm është ai dhe familja në karrierën tuaj?
-Po është e vërtetë. Kam një lidhje shume speciale me babanë dhe ai ka ndikuar shumë në atë që unë jam sot, si person dhe si futbollist. Është trajneri im i parë. Kur isha fëmijë dhe në vazhdimësi më ka ndjekur në çdo hap që kam hedhur, ashtu si edhe në nënshkrimin e fundit.

Myrto dhe Artan Uzuni gjatë udhëtimit për në Zagreb

Të shkojmë pak te hapat e tu të parë që lidhen edhe me Greqinë. Cilat janë kujtimet nga ajo periudhë?
-Po është e vërtetë që hapat e mi të parë janë të lidhur mes Beratit dhe Greqisë, ku edhe u formova si futbollist. Sigurisht që hapat e parë nuk harrohen asnjëherë dhe kanë qenë shumë të rëndësishme për mua.

Si është e vërteta e provës tek Olimpiakos?
-Përpara se të kthehesha në Shqipëri kam bërë një provë në akademinë e klubit më të madh grek, Olimpiakos. E gjitha u prish për shkak të mungesës së dokumentacioneve nga unë dhe familja ime. Fatkeqësisht një shans i humbur, por jo për fajin tim

Më pas rikthimi në Berat tek Tomori…
-Tek Tomori isha në shtëpinë time, pasi çdo futbollist ëndrrën e parë ka të luaj me ekipin e qytetit të vet. Kështu unë ia arrita dhe prej aty nisi ky rrugëtim. Sigurisht aty më donin të gjithë dhe për mua ishte shumë e lehtë.

Apolonia ishte stacioni i radhës dhe eksperienca e parë në Superiore. Sa i rëndësishëm ishte ai klub?
-Ishte një stacion i rëndësishëm pasi Apolonia më dha shansin të luaja në Kategorinë Superiore dhe këtë nuk kam për ta harruar. I falënderoj që besuan tek unë.

Shpërthimi erdhi te Laçi, cili është vlerësimi juaj për atë klub?
-Do kem gjithmonë simpati për atë klub, që më dha shumë dhe besuan në vazhdimësi tek unë. Njerëz të mrekullueshëm, duke nisur nga presidenti Laska dhe deri tek tifozi më i thjeshtë.

Ndonjë peng nga Superiorja?
-Mungesa e trofeve. Mund të kishim fituar Kupën ose Superkupën, por i humbëm të dyja finalet. Fatkeqësisht.

Cili është trajneri më i rëndësishëm në karrierën tuaj?
Gjithkush më ka dhënë diçka nga e vetja në personalitetin dhe aftësitë që kam. Duke nisur nga trajnerët e moshave dhe deri tek ata profesionistë, që dua ti përmend të gjithë: Muxhaj, Memushi, Demiri, Mërgjyshi, Mezani dhe Prenga.

Cili është futbollisti me të cilin je ndjerë më mirë në fushë?
-Regi Lushkja me të cilin kuptohesha shumë mirë në fushë. Kombinoheshim shpesh dhe ka qenë futbollisti që më pasonte më shpesh dhe më gjente më lehtë fushë.

Po mbrojtësi më i vështirë për tu kaluar?
-Nuk mendoj se kam patur një mbrojtës që e kam patur të vështirë ta kaloj.

Kush është goli më i bukur që ke shënuar?
-Ai ndaj Anorthosis në Europë, i cili jo vetëm kualifikoj skuadrën por edhe më dha mundësinë të jem sot në Kroaci (qesh).

Cili është miku juaj më i mirë nga bota e futbollit? Po idhulli juaj në futboll dhe. Skuadra që ëndërron të luash…
-Futbolli më ka bërë që të bëj shumë miq të rinj, madje shumë prej tyre edhe të rëndësishëm. Nëse duhet të përmend disa emra, mund të them Çaço, Dimo, Sefgjini, Lushkja, Jonuzi, Gjoni, Bare, Manaj. Disa më kanë ndihmuar me këshilla, pasi kanë më tepër eksperiencë. Me disa të tjerë më bashkonte mosha. Komunikimi me ta është në vazhdimësi, madje vazhdojmë të flasim edhe sot.

Cilat janë kujtimet nga ndeshjet me kombëtaren U21?
-Të luash për ekipin kombëtar është një kënaqësi e madhe dhe sigurisht nder dhe krenari. Të luaja për kombëtaren U21 ishte një ëndërr për mua dhe besoj se kam bërë më të mirën për aq sa më është dhënë mundësia. Të përfaqësosh kombin tënd është sipërmarrje e bukur, por edhe e vështirë

Sapo janë mbyllur ndeshjet e Kombëtares. Ju kur e shikoni veten pjesë të kombëtares tonë?
-Sigurisht ëndrra vazhdon për kombëtaren e madhe, tani dhe e di që e gjitha është në dorën time. Me atë që do tregoj te Lokomotiva me lojën time, golat dhe asistet, besoj se do e arrij edhe kombëtaren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *