Eduart Rroca ka qenë një nga shtyllat kryesore të Istanbulsporit këtë sezon, ku me asistet dhe golat e tij arriti ta dërgonte ekipin në fazën “play off” për të synuar ngjitjen në elitë. Statistikat flisnin të gjitha për të, por nuk mjaftuan për të rënë në sytë e Rejës. Diçka e tillë nuk i ka lënë shije të mirë mesfushorit shqiptar, që në studion e “Euro Magjia” në “RTSH” i bën ftesë Edi Rejës të vijë ta ndjekë nga afër për të kuptuar se edhe në Stamboll luhet futboll.
“Nuk di ta shpjegoj. Nga numri që kam ndoshta ngjan sikur nuk jam shqiptar. Nga ajo ftesa që nuk po më vjen i them trajnerit të vijë njëherë në Stamboll, udhëtimi është i shkurtër. Të vijë të më shohi dhe të shikojë që luhet futboll edhe në Stamboll. Meqë ftesa nuk po më vjen, po e bëj unë ftesën, të vijë të më shohi”, ka thënë Eduart Rroca./Halit Delibashi-Sport Ekspres/