Një futbollist mund të bëhet trajner, por karakteri vështirë që të ndryshojë. Xhoi Barton ka qenë një mesfushor i fortë dhe cilësor, por gjaknxehtë dhe shumë problematik. 36-vjeçari ka zhvilluar 269 ndeshje në Premier Ligë, ndërsa këtë sezon ka nisur karrierën e trajnerit.
Barton ka marrë drejtimin e Flitvud Taun, ekip që garon në divizionin e tretë të futbollit anglez (League One). Disa vese nuk harrohen lehtë dhe tipat si Barton i qëndrojnë besnik zakoneve të vjetra.
Ekipi i tij ka luajtur të shtunën kundër Barnsleit në transfertë, ndeshje e përfunduar 4-2 për vendasit. Ish-mesfushori i njohur është kapur në tunelin e dhomave të zhveshjes me homologun e tij të Barnsleit.
Siç raportojnë mediat angleze, Barton ka përdorur duart mbas fjalëve dhe ka gjakosur me grushte gjermanin Daniel Stendel. Menjëherë ka ardhur policia, që ka prangosur trajnerin problematik. Barton ka nxituar të shkonte drejt makinës së tij për t’u larguar pas sherrit, por policia i ka bllokuar daljen dhe e ka arrestuar.