Një dygolësh e Keita Balde dhe një gol i Lautaro Martinez i dhanë fitoren Interit kundër Frozinones. Luçiano Spaleti shfrytëzoi këtë takim për të bërë rrotacion dhe për të luajtur dis alojtarë për ndeshjen tepër të rëndësishme kundër Totenhemit në Champions.
Trajneri është i kënaqur me fitoren dhe lojën, ndërsa kërkon vazhdimësinë dhe heqjen dorë nga ndonjë fikje, si ajo kundër Atalantës.
FITORJA – “Patëm një reagim të rëndësishëm. Duhej të tregoheshim të aftë për të hyrë menjëherë në ndeshje dhe e bëmë një gjë të tillë. Duhet të rritemi akoma, të bëhemi më të bukur, të bëhemi një nga skuadrat më të mira në Europë. Kjo gjë bëhet duke luajtur ndeshje të rëndësishme në Champions, pa ato bllokime që na ndodhin ndonjëherë. Mund të humbasim ndeshje, por jemi një skuadër që bën ndonjë zgjedhje të gabuar. I pasojmë topin portierit në raste kur nuk duhet dhe rrezikojmë rezultatin në momente të caktuar.”
ECURIA – “Jemi rritur, ndodhemi në një moment të rëndësishëm, sepse po luajmë në nivele të larta, por duhet të heqim dorë nga disa rrëzime, si ai kundër Atalantës. Nuk mund të kalohet nga errësira totale në një dritë të bukur. Duhet të tregojmë gjithmonë që jemi Interi.”
KEITA-LAUTARO – “Keita ka një personalitet të madh, por ka dhe raste pauze kur humbet metra me skuadrën. Nëse na kundërsulmojnë në ato momente, rritet pesha për shokët e skuadrës. Martinez? Më pëlqen karakteri i tij i fortë. Kërkon duelet fizike, është nervoz dhe nuk dorëzohet kurrë deri në centimetrin e fundit.”
TIFOZËT – “63 mijë tifozë në stadium? Kur bëhet fjalë për Interin, tifozët janë gjithmonë prezent, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Ata duan të qëndrojnë afër lojtarëve të tyre dhe të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe ne, duhet të mësojmë nga tifozët tanë.”