Nga Lushnja në… Lushnje, historia e “laçianit” Uzuni

Vladimir Prenga

Luftëtari vjet fitoi zemrat e shumë shqiptarëve me lojën që bënte, ndërkohë që një gjë e tillë ndodhi edhe me Laçin në vitin 2010, kur bardhezinjtë e drejtuar nga Stavri Nica nga të kuotuar për të rënë nga kategoria siguruan për herë të parë pjesëmarrjen në kupat e Europës. Në kampionat Laçi arriti të fitonte edhe jashtë fushe me emra të mëdhenj si Tirana e Vllaznia, me një grup lojtarësh që mund ta kenë pasur kulmin e karrierës atë sezon. Aty “lindi” Vucaj, Nora shënoi 14 herë dhe rekordi i tij ende nuk është thyer, ndërkohë që Veliaj e Llani u ftuan në Kombëtare. Një ekip simpatik, që kishte ruajtur një pjesë të grupit që luajti në Kategorinë e Parë. Sefgjini, Kastrati, Çela, Nino, Shazivari dhe Nimani ishin disa prej tyre, ndërkohë që ishte afruar Veliaj, u fitua Kaja i ardhur nga Naftëtari i Kategorisë së Dytë, kurse lideri në prapavijë ishte i rikthyeri Julian Brahja.

Aty nisi “dashuria” për Laçin, ndërkohë që edhe në sezonet pasuese sukseset nuk munguan, madje u shoqëruan me dy Kupa Shqipërie dhe një Superkupë, si dhe për herë të parë u kalua një tur në Europa League, ku mes emocionesh u eliminua Rudar Velenje me penallti, me Vujadinoviç që priti tre të tilla. Gjithsesi kjo është e gjitha një parantezë e arsyeve pse Laçi fitoi simpatinë e dashamirësve të futbollit edhe në qytete të tjera dhe këtu nis e merr fill historia e Myrto Uzunit si bardhezi.

Laçi është një ekip që ka vuajtur shpesh nga krahët dhe pa nisur ende merkatoja dimërore në sezonin 2014-2015 kishin nisur kërkimet. Sugjerimi i parë erdhi nga Berati, nga një gazetar që e përcillte shpesh Laçin. “Shikoni Uzunin. Është fiks për skuadrën tuaj. Ushtron presing, djalë i urtë, i talentuar dhe punëtor”. Asnjë gënjeshtër. Shpesh ndodh që shumë klube i “snobojnë” ata që luajnë në të Parën, por bardhezinjtë nuk bëjnë pjesë në to. Djali i presidentit Laska, Kleo, mori rrugën për ta parë nga afër Myrton. Luhej Lushnja-Tomori dhe administratori i klubit aktualisht, ishte në tribunë. Uzuni binte në sy nga të tjerët, teksa një “veteran” si Viktor Gjyla detyrohej të ndalonte në mënyrë të gabuar mesfushorin që ende nuk i kishte mbushur 19 vjeç. Loja ishte e mërzitshme, pa raste dhe 0-0 përfunduan 45 minutat e para. Niveli i lojës bëri që Kleo të largohej, ndërsa Uzuni në pjesën e dytë realizonte golin e fitores për Tomorin.

Presidenti Laska mori përshtypjet e tij për beratasin, ndërkohë që nisi të interesohej edhe vetë, teksa të gjithë flisnin mirë. Bisedimet nisen, palët ishin shumë pranë, por tek Apolonia e kishte pikasur më parë Artan Mërgjyshi, në një miqësore Tomori-Besa (asokohe ai drejtonte kavajasit) dhe presidenti Koço Kokëdhima i fierakëve arriti të zgjidhte problemin e dokumentacionit dhe Uzuni firmosi për 4 vite. Laçi dhe Bylisi, dy skuadrat që po ngulmonim më shumë nuk ia dolën ta bënin të tyrin mesfushorin. Debutimi me Apoloninë për Uzunin erdhi në Durrës, kur Tirana priste fierakët në “Niko Dovana”. Aty pati një “shkëndijë”, Pashk Laska e kuptoi që kishte humbur një lojtar mjaft të mirë. Deri këtë verë ka pasur disa herë tentativa për ta veshur mesfushorin bardhezi. Nuk ndodhi, pasi Apolonia kërkonte 50 mijë euro, që as Tirana e Partizani nuk i paguanin, edhe pse e donin. 17 golat në sezonin e fundit bënë që numri një i Laçit të mendonte ta afronte sërish Uzunin. Në merkato po hasej vështirësi në gjetjen e një sulmuesi dhe fillimisht u mendua që Myrto të afrohej pikërisht për atë pozicion, pasi me Rexhinaldon bisedimet ishin “ngriva-shkriva”, por në fund u mor edhe ish-sulmuesi i Luftëtarit.

Tek Uzuni nuk u arrit lehtë, por në fund Laçi ia doli ta transferonte 22-vjeçarin, që kishte edhe 18 muaj kontratë me Apoloninë. Sigurisht u pagua për kartonin e tij dhe deri më tani te Laçi është aktivizuar në shtatë ndeshje. Nga java në javë në klub prisnin zhbllokimin e tij dhe iu afrua shumë me Luftëtarin kur goditi traversën. Pak minuta pasi ndodhi kjo, ai që e kish propozuar në fillim më dërgon mesazh: “Ore, bëri gol Myrto, se dëgjova të bërtitura te lokali i Artanit, babait të vet”. Atë ditë nuk shënoi dhe Laçi mori një goditje pasi gjirokastritët i shtangën në shtëpi, por gjithsesi goli i Uzunit erdhi aty ku ishte vëzhguar për herë të parë, në “Roza Haxhiu”, pranë Beratit, shtëpisë së tij. Ndoshta do i ketë dëgjuar patriotët e tij duke festuar për golin e shënuar…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online