Nga lotët e Ylli Agës te çudia e tifozerive të huaja me shqiptarët, Florian Riza: Donin miqësi me shqiptarët, e kuptoni arsyen besoj?

Kualifikimi në Europianin e Francës është arritja më e madhe në historinë e futbollit të Shqipërisë që solli edhe ndryshimin e imazhit të vendit tonë në Europë. Ishte momenti më i mirë që të huajt të kuptonin se shqiptarët nuk ishin vetëm ata që lexonin zakonisht në mediat e shtypura të përditshme, që nxjerrin vetëm anën tonë më të keqe.

Ishte momenti historik ku të moshuar dhe fëmijë, dashamirës dhe njerëz që nuk kishin parë kurrë futboll në jetën e tyre, uleshin përpara televizorit për të parë fanellën kuqezi që përfaqësonte shtetin tonë në mes të Francës.

Drithërimat e përjetuara në ato kohë nuk mund të përsëriten kurrë dy herë në jetë, pasi mbi të gjitha bëhej fjalë për kualifikimin tonë të parë dhe përjetimi ishte unik. Florian Riza kishte fatin që të ishte së bashku me Kombëtaren për të përjetuar gjithë rrugëtimin e suksesit në Francë.

E çfarë mban mend ai nga kjo eksperiencë? Së bashku me gazetarin Ylli Aga do të mbërrinin në stadium më vonesë për ndeshjen e parë kundër Zvicrës për shkak të disa problemeve. Pasi mbërritën 15 minuta para nisjes së ndeshjes, shtangen kur shohin sesi vendi ishte pushtuar nga tifozët shqiptarë. Në ato momentet lotët rrjedhin dhe Ylli Aga nuk ka asnjë fuqi për t’i ndaluar. “Qan lehtë Ylli, por këtë herë nuk ishin krokodili”, shprehet me humor Riza në rrëfimin e dhënë për “Jashtë Loje”.

Gjithashtu për t’u përmendur nga rrëfimi i mbërritjes së Shqipërisë në Europian ishte edhe dëshira e madhe e tifozerive të huaja për të qenë sa më miqësor me shqiptarët. Zakonisht ndodh e kundërta pasi tifozeritë dëshirojnë përplasje për të treguar se mbizotërojnë në territor. Këtë herë ndodhi ndryshe dhe mes këtij fakti të veçantë, mund të kuptohet lehtësisht arsyeja.

“Kualifikimi në Europian dhe mbërritja në Francë është i papërshkrueshëm në fjalë. Kush ka pasur mundësinë që ta ndjek, ka mbetur në kujtesën e tyre si diçka speciale. E përveç futbollit është e vështirë që ta arrij dikush tjetër këtë magji. Çfarë kujtoj? Mirë atëherë, jemi në Lion. Do të luajmë ndeshjen e tretë kundër Rumanisë. Për shkak se Lioni është shumë pranë St Etienne, ishte një fushë tjetër ku do të luhej një ndeshje tjetër. Pra ne do të luanim ndaj Rumanisë dhe në fushë tjetër do të luhej një ndeshje tjetër, më duket se Irlanda mesa mbaj mend.

Pra ishin katër tifozeri të ndryshme në qytet, imagjinojeni, plus tifozeria e Francës vetë. Rrugicat e Lionit dhe lokalet e tyre gëlonin. Ishin edhe anglezët që kishin një ditë pushim. Të gjitha rrugicat e Lionit me kalldrëm dhe lokalet ishin të mbushura me tifozë. Sigurisht, spikasnin tifozët shqiptar. Ishte e çuditshme se tifozeritë kur shohin tifozeri kundërshtare kanë këtë dëshirën e përplasjes, e përballjes. Ndërsa e vetmja gjë që nuk ndodhte me shqiptarët ishte pikërisht kjo.

Pra tifozeritë e tjera ishin shumë miqësore me shqiptarët, donin që të ishin miq. Tani unë edhe mund ta shpjegoj se pse vinte kjo, por edhe mund ta nënkuptojmë se pse vinte kjo dëshirë e jashtëzakonshme për të qenë miqësor me tifozët shqiptarë (qesh). E kujtoj shumë këtë moment pasi ishin të gjithë tifozeritë e huaja që kishin dëshirë të jashtëzakonshme që të këndonin dhe kërcenin këngët shqiptare.

Ndeshja e parë me Zvicrën? Ishim në Digitalb dhe në orën 1 mbaron emisioni, një ditë para ndeshjes. Pastaj udhëtojmë me avion drejt Vienës, kemi një tranzit që nga një orë tranzit u bë dy orë e gjysmë për shkak të vonesës së avionit. Marrim makinë me qera në Bruksel dhe duhej të shkonim për dy orë në Lens. Po shoqërohesha nga Ylli Aga.

Jemi futur në stadium në orën 14:45 se do e komentonim dhe në 15:00 niste ndeshja. Dhe besoj nga lodhja e nga gjithë këto problematika që unë solla dhe pasi u futëm në stadium, kur e pamë të veshur të gjithë kuqezi, Ylli Aga nuk i përmbajti dot lotët. Qau si gjithmonë, por këtë besoj se lotët e tij nuk ishin prej krokodili (qesh).

Ishte stadiumi i kuq se luanim edhe me Zvicrën, por dallohej që ishin tifozët tanë kuqezi dhe kishim aq shumë mbështetës sa nuk e merr dot me mend. Nuk ishim gjendur kurrë në një fakt të tillë që në një stadium të mbushur plot, pjesa më e madhe të ishin Shqipërinë. Çdo gjë ishte ëndërr e vërtetë. Në minutën e 80 mbaj mend që kam thënë frazën në koment kur ishim me një lojtar më pak: “Që do ta kemi edhe një shans të pastër për ta shënuar, do ta kemi, por që a do të shënohet apo jo, këtë nuk e di”. Besoj se për dy tre minuta erdhi ai rasti i famshëm i Shkëlzen Gashit.

Padyshim që ishte kulmimi i futbollit shqiptar, por jemi në një moment që kemi arritur në një mini sukses pasi kemi dalë të parët në “Nationals League”. Nga këtu kemi filluar të besojmë se në kualifikueset e tjera të Europianit mund t’ia dalim sërish, tani jemi në realitet. Ndeshja me Francën? Kujtoj atë që do ta kujtojnë të gjithë, bëhej matja e forcës së zërit të tifozerive në fillim të ndeshjes dhe ne fituam me francezët. Edhe pse ishim në tokë franceze, ne fituam. Aty kemi pësuar golat në minutat shtesë, se koha e rregullt mbaroi 0-0.

Ndeshja me Rumaninë? Ishte e rëndësishme pasi për herë të parë Shqipëria shënon gol dhe fiton ndeshjen në një kompeticion që kualifikohej për herë të parë. Pra të gjitha gjërat ndodhnin për një herë të parë dhe kjo do të mbahet mend gjithmonë. Në të ardhmen mund të përsëritet historia që të kualifikohemi dhe të rikualifikohemi, por hera e parë mbahet mend. Dua të them se stadiumi ishte përtej pritshmërive tona. Nuk prisnim që të kishim aq shumë tifozë shqiptarë. Nuk e kishim përllogaritur për aq pasi në fushën neutrale kundër Rumanisë prisnim një numër të ulët të tifozëve. Por jo vetëm që ishte i lart, por ishte plotësisht i mbushur me kuqezinjë”, u shpreh Florian Riza. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online