Nga Lemar te Mbape, Venger “zbërthen” merkaton

Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, më në fund ka folur hapur për merkaton e verës që lamë pas, duke zbuluar detaje që në korrik dhe në gusht nuk mund t’i thoshte. Francezi ka pranuar të shprehet, sepse synimet e tij nuk i ka arritur dhe e ka parë të arsyeshme të paktën të justifikohet para tifozëve, të cilët duan “kokën” e tij për formën e dobët të skuadrës dhe merkatos jo ideale. Duke folur në televizionin “Telefoot” në Francë, ai ka pranuar se Arsenali ka bërë një ofertë rekord për Tomas Lemarin e Monakos. Po flasim për një shumë prej 100 milionë eurosh. Francezi, i cili donte të merrte 21-vjeçarin si zëvendësues direkt i Aleksis Sançezit, gjithashtu ka konfirmuar planin e klubit londinez për të bërë një tjetër ofertë në të ardhmen. “Po, kemi ofruar 100 milionë euro, por lojtari donte të qëndronte dhe një vit te Monako”. A ka më qartë se kaq? I pyetur nëse klubi anglez ishte ende i interesuar për blerjen e tij, ai tha: “Po, ne do të bisedojmë sërish me të dhe me Monakon.”

Kundërshtia

Çuditërisht, Venger ka dalë edhe kur rregullave të “fair play” financiar të vënë nga UEFA, pavarësisht se ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të saj, ashtu si Bajerni. “Në fillim e doja shumë këtë iniciativë të UEFA-s, por tani që janë gjetur shumë mënyrë për ta xhiruar rregulloren, ka probleme. Nuk duhet të ekzistojë një rregull, nëse ky rregull nuk i detyron skuadrat të sillen si duhet”, – ka deklaruar ai.

Mbape

Venger ka pranuar gjithashtu se ka qenë i interesuar për Kilian Mbapenë, por që Arsenali nuk e përballonte dot koston e blerjes së tij. “E doja edhe unë, sigurisht. Por 180 milionë euro janë shumë për ne. Ai mund të bëhet Peleja i ardhshëm. Nuk ka kufij. Është vetëm 18 vjeç dhe do të bëhet edhe më i fortë. Ka një lojë të ekuilibruar për një sulmues, shënon dhe krijon shanse shënimi edhe për shokët. Këto janë cilësitë e lojtarëve të mëdhenj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *