Superliga e Kosovës po rritet nga viti në vit dhe lojtarë gjithnjë e më cilësorë po transferohen aty. Po ashtu, shumë lojtarë të huaj po provojnë të luajnë në kampionatin e Kosovës dhe cilësia sa vjen e rritet. Një ndër lojtarët e huaj që luajnë në Kosovë është edhe futbollisti i Flamurtarit të Prishtinës, Angel Grançov, i cili ka dhënë një intervistë për bullgaren “trud.bg”, në prag të ndeshjes midis Kosovës dhe Bullgarisë, që do të zhvillohet këtë të hënë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Grançov flet për cilësinë e përfaqësueses së Kosovës dhe për kushtet e futbollit në Kosovë. 26-vjeçari thekson se Kosova nuk duhet nënvlerësuar, ndërsa përsa i përket futbollit në Superligën kosovare, Grançov thekson se terrenet janë ende një problem i madh ku duhet progres, sidomos për faktin që pak stadiume kanë fusha me bar natyral.
“Kosova nuk duhet nënvlerësuar. Nëse shikon 10 ndeshjet e fundit, ata kanë marrë rezultate mjaft pozitive. Thuajse të gjithë lojtarët luajnë jashtë, vetëm portieri i tretë është i kampionatit të Kosovës. Të gjithë janë të motivuar, biletat u shitën për 2 orë. Ata kanë lojtarë të mirë dhe prandaj mund të surprizojnë çdo kundërshtar”.
“Nuk jam shumë i informuar mbi skuadrën e Kosovës, por shikoj që janë shumë të motivuar. Në Europë nuk i njohin shumë dhe kjo bën që të nënvlerësohen, por çdokush që e bën këtë gjë do ta pësojë”.
LOJTARËT QË BIEN NË SY – “Portieri Arijanet Muriç është pjesë e Mançester Sitit, është aktivizuar disa herë në ndeshjet e Kupës. Milot Rashica luan për Verder Bremen. Është i ri dhe po kalon një formë të mirë”.
TIFOZËT – “Stadiumi do të jetë plot. Të gjitha biletat janë shitur. Nuk është një stadium i madh, ka një kapacitet prej 14.000 vendesh. Tifozët janë të ekzaltuar dhe do ta mbështesin skuadrën në ndeshjen e parë të kualifikueseve të Europianit”.
OBJEKTIVAT E KOSOVËS – “Kam folur me shokët e skuadrës në lidhje më këtë takim. Ata duan të renditen të dytët në grup. Kanë besim dhe kualitet, ndërsa trajneri Shaland ka pasur shumë ndikim. Nuk e di a e ka arritur të fusë stilin e lojës që ai dëshiron, por lojtarët e tij sigurisht që janë cilësorë”.
INFORMACION PËR BULLGARINË? – “Nuk më kanë kontaktuar. Kombëtarja bullgare ka njerëz profesionistë, që me siguri e kanë studiuar ndeshjet e Kosovës. S’ka përse të më kontaktojnë mua, pasi nuk është se mund t’u jap ndonjë ndihmë të madhe”.
FUTBOLLI NË KOSOVË – “Këtu vrapohet shumë dhe ka duele shumë të forta fizike. Gjyqtarët shpesh lejojnë që loja të luhet edhe pas disa faulleve që në Bullgari nuk do të lejoheshin. Terrenet janë të këqija dhe ka vetëm luftë sportive. Ato pak takime që luhen në fusha me barë natyral bëhen vërtet interesante. Gjithsesi, s’dua që të keqkuptohem, sepse këtu ka talente të mirë dhe lojtarë me aftësi të mira futbollistike. Njerëzit duan të bëjnë progres dhe t’i përmirësojnë kushtet”.
INFRASTRUKTURA – “Infrastruktura në Bullgari është e një niveli më të mirë. Ne ankohemi gjithmonë për këtë, por në të vërtetë kemi terrene të mira në kategorinë e parë dhe të dytë. Këtu në Kosovë situata është shumë ndryshe. Stadiumet janë në gjendje shumë të keqe, qoftë godina, por edhe tapeti. Këtu ka dy ose tre stadiume në gjendje të mirë, por po punohet fort që të zgjidhet ky problem. Stadiumi ku do të luhet ndeshje është një impiant modern, që i ofron të gjitha kushteve lojtarëve dhe tifozëve”.
A KA MË SHENJA NGA LUFTA? – “Jo aspak. Jeta këtu është shumë e qetë, e ngjashme me jetesën në Bullgari. Ka disa probleme me pastërtinë në rrugë, ose bllokimi i tyre nga dëbora. Njerëzit janë të qetë dhe them se është një vend i mirë për të jetuar. Lufta i përket së shkuarës, njerëzit duan të ecin përpara dhe brezi i ri është shumë ambicioz”.