Nga Flamurtari në divizionin e tretë suedez, falë… Benfikës

0

Ilir Berisha mbylli kontratën me Flamurtarin në fund të sezonit të shkuar, që ishte i pafat për klubin kuqezi, por edhe për vetë futbollistin. Qendërmbrojtësi, i cili ka qenë në xhiron e përfaqësueses së Kosovës, shkoi NË Vlorë në janar 2016, por mungoi për disa muaj për dëmtim. Edhe sezonin e fundit luajti titullar fiks deri në ndërrimin e viteve dhe më pas mungoi për dëmtim serioz në këmbë, duke u kthyer në fushë në maj, në ndeshjen mbyllëse të sezonit, pikërisht ndaj Korabit, rivalit që kishte luajtur ndeshjen ku u dëmtua, dhjetorin e shkuar.

Tani 26-vjeçari ka firmosur në Suedi, për Vasteras (Vesteros), në divizionin e tretë suedez. Pse kjo zgjedhje? Është mesi i sezonit në Suedi dhe Berisha ka nevojë që të luajë rregullisht, për të gjetur më pas ekip cilësor, ndoshta në Allsvenskan, ku e njohin mirë, pasi ka shkëlqyer me Orebron.

Vasteras lufton për ngjitje në divizionin e dytë dhe ka bërë një sakrificë jo të vogël ekonomike me Berishën. E gjitha falë Benfikës dhe 23-vjeçarit Viktor Lindelof.

Qendërmbrojtësi i talentuar suedez, i cili sapo është transferuar te Mançester Junajtid për 35 milionë euro,është rritur te Vasteras. Në vitin 2012 Vasteras ia dha Benfikës dhe marrëveshja ishte interesante: Vasteras do të paguhej 3 milionë euro nëse Lindelof qëndronte deri në moshën 22 vjeç te Benfika, do të paguhej edhe 1 milion euro në rast rishitjeje dhe në fund, edhe 1 milionë euro i ka marrë si kompensim solidariteti pas transferimit te Mançester Junajtid, sipas rregullores së UEFA-s dhe FIFA-s.

Në total, 5 milionë euro që kanë pasuruar Vasteras, që ka pasur mundësi të afrojë Berishën, por edhe disa lojtarë të tjerë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.