Sipas asaj që shkruan “Tuttomercatoweb”, Milani ka vënë sytë jo vetëm te Bakajoko, por edhe te një tjetër futbollist i Çelsit, braziliani Lukas Piazon, që Leonardo njeh mjaft mirë. Vetëm 24 vjeç, fantazisti ka luajtur sezonin e shkuar si protagonist të Fulhami, duke ndihmuar londinezët që të ngjiten në Premier League. Formula? Sigurisht, huazim me të drejtë blerje në fund të sezonit të ardhshëm.
Sa i përket çështjes “Bakajoko”, sot ka pasur takime të rëndësishme në selinë kuqezi, ku ndërmjetësi dhe vëllai agjent i lojtarit kanë qenë në takim me Maldinin dhe Leonardon. Palët nuk kanë rënë ende dakord për rrogën, për faktin se mesfushori francez kërkon të paguhet aq sa edhe te Çelsi, pra 6,5 mln euro në sezon.
Por, kuqezinjtë nuk mund të paguajnë këtë shifër ndaj duan të bien dakord me blutë që të paguajnë një pjesë të rrogës. Ndërkohë, formula është huazim me të drejtë blerje rreth 30-35 mln euro.
Ndërkohë, për shitjet, mund të ketë një surprizë të pakëndshme sa i përket Nikola Kaliniçit, që ndodhet në Spanjë dhe pret firmën me Atletikon. Por, kjo nuk ka ardhur sepse Valencia, momentalisht, nuk ka zyrtarizuar Gameiron, për probleme ekonomike dhe mosakord për mëyrën e pagesës së kartonit te Atletiko.
Baka-Vilareal? Ka ende distancë mes palëve, edhe pse kuqezinjtë nuk nxitohen, pasi në Spanjë merkato mbyllet me datën 31 gusht dhe kanë mundësi të blejnë klubet, ndërsa në Itali mbyllet me 19, por Baka është jashtë planeve, kështu që pritet vetëm të gjendet formula e duhur për ta shitur, ose edhe huazuar sërish.
Ashtu sikurse edhe për Hoze Maurin, Antonelin, Abaten, apo edhe Montolivon, edhe pse ky i fundit mund të qëndrojë pasi rroga është problem. Ashtu si për Bertolaçin, ku Xhenoa është tërhequr nga gara.
Së fundmi, Andre Silva. Nëse nuk vjen një ofertë që të kënaqë kuqezinjtë, pra rreth 35 mln euro, portugezi nuk do të largohet kurrësesi, pasi Milani nuk ka ndër mend që të humbë në bilance, pasi pagoi 38 mln euro te Porto një vit më parë.