Nga dronet “Bayraktar” te satelitët në orbitë, kur Shqipëria merr leksione futbolli nga vëllai i vogël

Jemi në një kohë tërësisht të pazakontë, në mes të një jete normale dhe një absurditeti që po ndodh në botë. Luftërat janë shtuar ndjeshëm, akoma më shumë është shtuar paniku pasi tanimë është hapur edhe në zemër të Europës, mes Rusisë dhe Ukrainës.

Për këtë arsye, pas shumë vitesh, edhe Shqipëria po investon në armatime dhe po kërkon të kthejë ushtrinë si dikur, në kohën e vjetër. Po në të njëjtën kohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është kujdesur që Shqipëria të dërgojë dy statelitë në orbitë, “Albania 1” dhe “Albania 2”.

Por nëse do të flasim për mbështetjen që jep Qeveria në Shqipëri për FSHF dhe futbollin në vendin tonë, shifra është…0 lekë. Po po, e lexuat, saktë, 0 lekë. Sigurisht, shumë do të thonë: “E në mes të kësaj kohe, kur të gjithë frikësohen nga çfarë ndodh në botë, ju e keni mendjen te futbolli?”. Siç në fakt dhe vetë Edi Rama e arsyetoi mungesën e pagës së luft.ës për sportistët para disa vitesh, COVID-19 ishte jetike dhe futbolli nuk është në plan të parë, a thua se luhet dhe zhvillohet nga robotët dhe jo nga po njerëzit.

Në të njëjtën kohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se do të jepte 200 milionë euro për të ndihmuar futbollin në Kosovë dhe për të përmirësuar infrastrukturën, për të rikonstruktuar stadiume dhe për të ndërtuar fusha stërvitore.

Pavarësisht gjithë tensioneve me Serbinë, Kurti e sheh të arsyeshme që t’i dedikojë kohë dhe pjesë nga buxheti i shtetit, rritjes së futbollit në vend. Ndërsa Shqipëria që sheh luftëra imagjinare dhe satelitë në orbitë, nuk investon asnjë kacidhe për futbollin, sportin e parë në vend.

Megjithatë kur bëhet fjalë për Kombëtaren, të gjithë janë sportdashës, të gjithë janë dashamirës dhe të gjithë luftojnë për të kapur një biletë dhe për të udhëtuar drejt Gjermanisë, të veshur me kollare dhe kostum, aspak sportiv. Por sa shumë e duan Kombëtaren dhe futbollin? Do ta shfaqin në një rast zhgënjimi në Europian, siç kanë bërë deri tani. Por ka shpresë edhe për sportin, thuhet se kryeministri do të sjellë Formula 1 në Shqipëri. Urojmë vetëm që Max Verstappen të mos ketë mbyllur karrierën deri atëherë… /Sport Ekspres/