Nga derbi, Gatuzo, Leonardo-Maldini te Higuain: Saviçeviç analizon kuqezinjtë

Dejan Saviçeviç është një nga kampionët e paharrueshëm të Milanit të viteve 90-të. 52-vjeçari u aktivizua për gjashtë sezone me Milanin, ekip me të cilin fitoi 3 tituj kampionë, 1 Superkupë Italie, 1 Champions Ligë dhe 1 Superkupës Europiane.

Ish-fantazisti, i njohur me pseudonimin “Gjeniu”, ka folur për “Corriere dello Sport”, për ish-ekipin e tij, derbin e Milanos, punën e mirë dhe futbollin e bukur që po prodhon Milan nën drejtimin e Xhenaro Gatuzos, rikthimin e dyshes Leonardo-Maldini në klub si dhe sulmuesin Gonzalo Higuain.

DERBI – “Milan vjen mirë në këtë ndeshje dhe është më në formë se Inter, por kjo nuk do të thotë  gjë. Këto janë ndeshje të veçanta dhe nuk dihet kurrë se kush do të fitojë. Sinqerisht Milan luan një futboll më të bukur se Inter. Në ndeshjet e fundit zikaltrit nuk më kanë pëlqyer shumë.”

GATUZO – “Rino po bën një punë shumë të mirë, por gjëja më e rëndësishme janë rezultatet. Puna është një gjë, por në fund përcaktojnë rezultatet.”

LEONARDO-MALDINI – “Jam me të vërtetë i lumtur për rikthimin e tyre në klub. Shpresoj që Leo të sajojë ndonjë blerje si në të kaluarën me Kaka, Pato dhe Tiago Silva. Nevojitet inteligjencë, duhen marrë lojtarë të mirë pa shpenzuar shumë para. Lojtarë malazezë për të sugjeruar? Për momentin jo, por nëse ndodh, do të thërras Milanin me dëshirë.”

HIGUAIN – “Drejtuesit bënë mirë që morën bomberin argjentinas, në ndryshim nga viti i kaluar kur morën Kaliniç dhe Andres Silvën, lojtarë që nuk ishin për Milan. Pipita është i fortë, ka një të kaluar të rëndësishme, është një sulmues me rendiment për një ekip të madh dhe po e demonstron një gjë të tillë. Mos të harrojmë Suson, i cili po bën një punë shumë të mirë me asistet e tij”.

KRAHASIMI ME IKARDIN – “Janë dy lloje të ndryshëm sulmuesish. Unë preferoj Pipitën, sepse shënon, merr pjesë në lojën e ekipit, dhuron asiste dhe përmirëson të gjithë grupin e lojtarëve. Ikardi është një finalizues i jashtëzakonshëm, por është ekipi që duhet të jetë në shërbim të tij.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *