Humbja 5-2 me Torpedo Kutaisin djeg ende. Prej mënyrës sesi sfida doli nga konteksti i futbollit. Drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi analizoi atë që ndodhi dhe qetësoi ambientin pas deklaratave të trajnerit Cungu, që krijoi idenë e largimit. Në intervistën për “Super Sport”, ish-fantazisti u shpreh besimplotë te mrekullia, ndërsa analizoi edhe merkaton dhe shprehu hapur synimet për titullin.
HUMBJA – “Nuk ishim gati më tepër në aspektin psikoligjik, sepse kishim shumë mangësi gjatë udhëtimit. Na u shkaktuan shumë probleme të pazakonta, sepse tre lojtarë kyç të tanët nuk ishin me ekipin. Ne kishim shumë momente të mira në ndeshje, si në asnjë nga përballjet e kaluara, por nuk ditëm të shënonim. Rexhinaldo kishte shume raste, por nuk mund ta fajësojmë, sepse i’u bashkua ekipit vetëm ditën e ndeshjes. Ajo kaloi, por edhe pse është tepër e vështirë dhe për disa duket e pamundur, tani vjen ndeshja e kthimit. E pamë kualitetin e Tordos dhe e dimë, që mund ta kalojmë. Duhet të kemi shumë besim të bëjmë mrekullinë. U bëj ftesë tifozëve, që të na mbështesin, pasi kemi vuajtur shumë për gjëra që nuk kanë lidhje me futbollin, për të na e marrë ndeshjen me mënyra të tjera. I kërkuam ndihmë edhe UEFA-s, diçka që erdhi, por kishte shumë gjëra që nuk shkuan ato ditë”.
CUNGU – “Ishin deklarata të nxituara nga ana e tij, por trajneri e di që nuk ka shumë përgjegjësi, pasi ai ka ardhur në një kohë kur luanim në Europë dhe nuk ka bërë zgjedhje të tijat për lojtarët. Kjo çështje do të mbyllet. Unë e theksoj se në grup kemi kualitet dhe me dy afrime të tjera do të rritemi akoma. Këtij grupi duhet ti jepet kohë dhe besim”.
MERKATO – “Të gjithë e njohim Cuculin, i cili në tre vitet e fundit ka luajtur te Shkëndija dhe ka qenë ndër lojtarët kyç të sukseseve të ekipit. Kam njohje dhe kam luajtur me të dhe bëra maksimumin ta sjell të ekipi i Kukësit. Me eksperiencën e tij, do ta rritë edhe më shumë nivelin dhe është një përforcim shumë i madh për ekipin. Oumar Ture është një mesfushor 20-vjeçar në pronësi të Juventusit, që do të huazohet dhe vjen të dielën me ekipin. Vitin e kaluar ka qenë i huazuar në Austri. Arritëm të gjenim marrëveshjen dhe është një plus i madh për ne, pasi po sjellim një futbollist, i cili do të provojë të tregojë veten. Nëse trajneri Cungu do të kërkojë lojtarë edhe në reparte të tjera, me presidentin do të bëjmë të pamundurën t’ia plotësojmë kërkesat”.
TITULLI – “Besoj që kemi kualitet dhe tani me ardhjen e Cuculit do të jemi pretendentë kryesorë për titullin. I dimë pretendimet e presidentit Gjici. Por, duhet të nisë kampionati, të shohim edhe rivalët. Gjithsesi do të përqendrohemi te ekipi ynë dhe kam besim se në fund do t’ia dalim”.