Barazimi me Valetan ishte pika që derdhi gotën. Situata e komplikuar e krijuar te Kukësi, me trajnerin Peter Pakult që sipas zërave pranë klubit pati një krisje me lojtarët u reflektua në fushën e lojës. Klubi vendosi të mos rinovonte kontratën me austriakun, me drejtorin sportiv Nderim Nexhipi që shpjegoi atë që ndodhi.
“Është pak e pazakontë, megjithatë para ndeshjes me Valetën diskutuam me trajnerin për kontratën e re. Edhe pas ndeshjes u takuam me trajnerin dhe presidentin, ku u vendos që nuk do të vazhdonte bashkëpunimi. E kemi falenderuar Pakultin, i dëshirojmë më të mirën në karrierën e tij. Puna te Kukësi ka qenë pozitive dhe ai kapitull tashmë është mbyllur”, tha Nexhipi për “SuperSport”.
Drejtuesi i veri-lindorëve sqaroi edhe vendimin për të emëruar në stol Armando Cungun, të cilin e vlerësoi si zgjedhjen më të mirë: “Nuk kishim shumë kohë për të menduar, Cungu ka qenë te Kukësi para disa vitesh, ka patur ecuri të mirë. Është gjë e mirë që është kthyer, sepse e njeh ekipin, e njeh ambientin dhe kampionatin. Ishte zgjedhja më e mirë për klubin”.
Në fund, Nderim Nexhipi shprehu besim të plot se Kukësi do të arrijë rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit me Valetën në Maltë dhe do të kualifikohet në turin e dytë të Champions. “Kur shorti na vendosi përballë Valetës nuk kishim shumë informacione, pavarësisht se provuam të zbulonim sa më tepër për ata. Për sa i takon kualifikimit, gjithçka është e hapur. Me një gol të shënuar atje, apo me një rezultat pozitiv vazhdojmë më tej. Jam i bindur se do të kualifikohemi”.