Në Shkodër flet Sukaj: Kritikat më bëjnë mirë. Premtimet ia lëmë fushës

Sulmuesi shkodran ka folur për situatën në ekip dhe për shumë çështje të tjera. “Fitorja e fundit vetëm një hap përpara, duhen shumë të tilla për të dalë në sipërfaqe”

Gaspër Marku

Fitoret me Teutën dhe Lushnjën janë shumë të rëndësishme për Vllazninë, por nëse analizohet me qetësi, nuk janë asgjë nëse ato nuk shoqërohen edhe me të tjera në vazhdimësi. Kështu mendon edhe Xhevahir Sukaj, i cili ka dalë sot para medieve në Shkodër dhe ka folur për situatën në ekip, duke thyer heshtjen për shtyp të vendosur nga klubi. Sulmuesi flet edhe për veten, duke pranuar se po rritet dita-ditës, për të kaluar te transferta me Luftëtarin, presioni, aleancat, mbijetesa dhe e ardhmja. Fillimisht e nis me situatën në ekip: Kaluam dy ndeshje të rëndësishme, fituam gjashtë pikë, por akoma nuk kemi dalë në sipërfaqe. Thjesht kemi kaluar vetëm një shkallë, pasi Durrësi aty është. Kemi ndeshje të vështira dhe duhet t’i marrim seriozisht, siç e kemi marrë ndeshjen me Lushnjen, që ishte jetike për ne. Futbolli është i tillë që një humbje të çon përsëri aty ku ishe dhe nuk duhet të mendojmë sikur ku kemi dalë. Nuk kemi dalë askund, ideja është që t’i marrim edhe disa fitore të tjera, që të qetësohemi më tepër”.

ASPEKTI PERSONAL
“Kritikat, e kam thënë edhe më përpara, mua personalisht më bëjnë mirë, më mirë kur merren me ty se sa të jesh i harruar. Normalisht nga ndeshja në ndeshje po vij në rritje. Jam në shërbim të ekipit, kur ka nevojë ekipi futem edhe në rolin e mbrojtësit, siç ndodhi me Teutën. Ishim 2-0 dhe pozicioni im në lojë ishte më tepër që unë të mbroja se sa të sulmoja, pavarësisht se nuk dola aty ku duhet. T’ia lëmë kohës, ka ndeshje plot, besoj që kemi kohë të vijmë aty ku duhet. Presim gola të tjerë të Sukajt tek Vllaznia? Futbolli nuk të len të japësh premtime. Unë jam i mendimit që më mirë të futemi maksimalisht në fushën e lojës dhe të marrim ato pikët që na duhen. Premtimet ia lëmë fushës. Një koment në lidhje me peshën? Është shumë e rëndësishme të luash me peshë, pa peshë luan edhe Ronaldo”.

TENSIONI
“Normalisht që ka. Kjo ndeshje me Teutën ishte jetike, duke parë që një ndalesë do të thoshte të favorizohej drejtpërdrejt kundërshtari, që ishte një pikë poshtë nesh. Besoj që dy ndeshjet jashtë që kemi me Gjirokastrën dhe me Laçin do të vendosin përfundimisht se sa të qetë do të jemi pas këtyre dy ndeshjeve, ose sa të shqetësuar do të jemi. Arrin i gjithë ekipi ta përballë presionin? Normalisht është e vështirë, ka lojtarë që janë mësuar të luajnë gjithë kohën duke shpëtuar apo duke dalë nga kategoria, ka lojtarët të tjerë që janë mësuar të luajë duke pretenduar të dalin kampion, ose duke fituar trofe. Kështu që bëhet një lloj balancimi ndërmjet këtyre dy lloj palëve, që të dalim në një lloj konkluzioni: të shikojmë përpara dhe mos të kemi frikë, që në fakt është, sepse e dinë të gjithë për pasojat që mund të ketë në një rast të tillë”.

QËNDRIMI NË SUPERIORE
“Për të shpëtuar jemi duke luajtur. Njollë më të madhe se sa të bjerë Vllaznia nga kategoria nuk mund t’ia ngjitesh vetes, si unë, gjithë futbollistët dhe drejtuesit. Jemi koshient te kjo pjesë. Maksimalisht jemi të përqendruar për të mos lënë të dyshohet se ne jemi ata që po biem. E kemi si synim, që të paktën disa javë përpara fundit të kampionatit, të sigurojmë që Vllaznia nuk bie. Shpresojmë që edhe me ndihmën e Zotit, me mbështetjen e të gjithë njerëzve rreth e rrotull, t’i shërbejmë dhe ta nxjerrim nga ky lloj presioni që ka gjithë ekipi”.

ALEANCAT

“Ne jemi të sigurt që as nuk na favorizon askush, as na ndihmon kush, jemi të vetëm në beteje, edhe më mirë, sepse do Zoti dhe njeriu merr atë që i takon. Mund të flitet për aleanca të ndryshme, por ne besoj se po t’i arrijmë ato fitoret tona, nuk besoj se do të jenë problem aleancat”.

LUFTËTARI

“Ndeshje shumë e vështirë, as nuk diskutohet. Për ne e vështirë ishte edhe ndeshja me Lushnjën, që ishte poshtë Gjirokastrës. Luftëtari që ka treguar ndeshjet e fundit që është ekip i pathyeshëm. Duke parë edhe pozicionin, që e kemi sipër Luftëtarin, ne do të arrijmë që t’i marrim absolutisht pikë, 100 përqind. Shkojmë për të marrë trepikëshin dhe shpresojmë për këtë. Nëse marrim tre pikët në Gjirokastër, besoj se do të jetë një qetësi absolute, të paktën edhe për një javë, apo pesë ditë të tjera që janë përpara ndeshjes me Laçin. Pra, për ne është shumë e vështirë, por besoj që do të marrim masat e duhura që të arrijmë aty ku do i gjithë ekipi”.

PRETENDIME PËR MË SHUMË

“Nuk është se nuk e mendojmë atë gjë, por duke parë që ne erdhëm nga dy humbje, si me Kukësin dhe ashtu me Skënderbeun, u futëm në një lloj tensioni dhe presioni nga të gjitha anët. Nuk e kemi menduar akoma se çfarë mund të pretendojmë më shumë për vazhdimësinë. E rëndësishme është që ne të dalim sa më shpejt nga kjo lloj frike për rënien nga Superiorja. Kjo është më e rëndësishme. Nëse Vllaznia bën një sezon të mirë, duke e ditur që flitet se në fund të sezonit mund të privatizohet klubi, lojtarët që kanë ardhur tek Vllaznia mund të pretendojnë qëndrimin përsëri, ndaj do të jetë pozitiv edhe fundi i  kampionatit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *