Në qiellin e shtatë, media prestigjoze shkruan për Armando Brojën: Chelsea e ka Halandin e saj, i kursen milionat

Armando Broja është duke prekur “qiellin e shtatë” sa i përket vlerësimeve të ardhura nga mediat gjatë kësaj periudhe. Vetëm një sezon i ka mjaftuar sulmuesit 19-vjeçar që të realizojë 10 gola në kampionatin e “Eredivisie” me Viteshen.

Puna e madhe paguhet dhe tani Broja po përjeton ëndrrën e madhe: “Ekipi i parë i Chelsea-t”. Trajneri Tuchel ka menduar që të marrë menjëherë shqiptarin në organikën e skuadrës për t’u përgatitur për sezonin e ardhshëm.

Së fundmi është media prestigjioze britanike “Daily Star” që shkruan për këtë çështje: “E kërkuan Erling Haland, por Chelsea e ka Erling Halandin e saj në shtëpi dhe mund t’i kursejë miliona”. Ky ishte krahasimi i bërë për Armando Brojën nga “Daily Star” duke treguar pikat e ngjashme me yllin norvegjez, teksa në të njëjtën kohë i kursen edhe para Chelsea-t që mos të hidhet në merkato për tjetër sulmues.

“Chelsea ishte i dëshpëruar për të nënshkruar me një sulmues në merkaton e verës. Por një lojtar që është pjesë e tyre mund t’i kursejë miliona, pavarësisht ndjekjes për Erling Haland dhe Romelu Lukaku. Chelsea e ka në dorën e saj “Erling Haland”(Broja). Ylli i Dortmundit ishte synimi kryesor për t’u afruar në “Stamford Bridge”. Por çmimi i vendosur nga Dortmund ishte 150 milionë paundë për të.

Për këtë arsye do të hiqnin dorë edhe londinezët. Armando Broja ka kaluar disa orë në fushën e stërvitjes dhe puna e tij po paguhet. 11 gola në 31 ndeshje, ndoshta nuk janë shumë, por ajo që nuk mund të harrohet është zhvillimi i jashtëzakonshëm i tij. Ka shumë cilësi si të Haland për mbajtjen e topit, ritmin në forcë, forcën fizike dhe shpejtësinë për të shpërthyer. Duke luajtur për Shqipërinë U-21, sulmuesi realizoi edhe një gol brilant ndaj Andorrës U-21”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *