Editorial/ Çfarë fituam nga miqësorja? Më shumë dramë te Shqipëria se te Uellsi, paradoksi i madh i një vendi që harron vetveten

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria e ka mbyllur ndeshjen e parë miqësore të qershorit duke luajtur kundër Uellsit. Barazimi pa gola dëshmon paqen e shifrave, por fusha e lojës nuk ishte e tillë. Nga përplasja e Manajt me trajnerin Reja te tregimi i muskujve të Amir Abrashit. Uellsianët ishin tradhtuar nga nervat dhe gjetën kundërshtarin “e papërshtatshëm” përpara Europianit.

Qartazi dukej se në kampin kundërshtar prisnin një lojë më të butë të kuqezinjëve që t’i nënshtroheshin ritmit të tyre, por fatmirësisht u tregua dëshira për të përfaqësuar me krenari fanellën e Shqipërisë edhe në një miqësore.

Menjëherë pas ndeshjes ka pasur shumë kritika për 0 goditjet në portë të Kombëtares kuqezi, madje duke e bërë më shumë dramë gjendjen edhe se vetë Uellsi. Futbolli është çështje këndvështrimesh dhe gjithmonë duhet të zgjedhësh mënyrën sesi e shikon panoramën. Në Shqipëri preferojnë që të lartësojnë anët negative përpara atyre pozitive dhe duke ia hedhur fajin një njeriu të vetëm, trajnerit.

Për të kujtuar fillimisht se po flitej për Uellsin që kishte gjithë entuziazmin e kthimit të tifozëve që nga koha e shpërthimit të COVID-19 dhe luante ndeshjen e fundit para nisjes së Europianit. Gjithashtu duhet të rikujtojmë se në 12 ndeshjet e fundit në shtëpi përpara Shqipërisë ky rival numëronte 10 fitore dhe 2 barazime, këto të fundit ishin arritur me Amerikën dhe Kroacinë.

Në këtë pjesë tregohet qartazi forca e rivalit që shpeshherë në Shqipëri zbehet duke dalë në përfundimin e pakuptimtë që përsëritet si refren në çdo ndeshje: “Ata nuk janë siç kanë qenë dikur”. Por çfarë tregoi kjo ndeshje? Pikësëpari mes shumë kritikave nuk duhet të harrohet përgëzimi i Gentian Selmanit që tregoi nivelin e lartë ndaj Uellsit.

Kjo ishte një ndeshje që për herë të parë pas shumë kohësh dukej se kuqezinjtë nuk do të pësonin edhe sikur të luanin për 90 minuta të tjera. Mbrojtja tregoi konsolidimin e saj dhe ishin gjithë kohën të vëmendshëm për të përligjur ekipet e nivelit të lartë që luajnë në Serinë A. Një “mur i pathyeshëm” ku mund të tentohej vetëm nga jashtë zone. Mesfusha është e përbërë nga muskujt me Keidi Baren dhe Amir Abrashin që luftuan gjithë kohën në qendër të fushës.

Kritika e vetme për Kombëtaren është mbi aspektin e sulmit ku përveç rastit të Rei Manajt në minutën e 16 është bërë shumë pak punë për të goditur kundërshtarin. Por nëse do t’ia delegojmë fajin Rejës, atëherë duhet të pyesim: “Cilin lojtar la jashtë ky trajner dhe çfarë nuk shkoi me skemën që futbollistët nuk shpalosën aftësitë e tyre?”.

Këtë herë kishim edhe Endri Çekiçin nga minuta e parë për të cilin Reja është kritikuar aq shumë më herët. Pas shkëlqimit në Turqi, mesfushori tregoi se i duhet më tepër ambientim për të dalë “në origjinë”. Bekim Balaj ishte tërësisht për t’u harruar në pjesën e sulmit ku nuk mund të dallohet për asnjë veprim.

Rei Manaj përpiqet më tepër dhe ka më shumë aftësi se të tjerët për të dribluar kundërshtarin, por sërish nuk mund të konkretizoj dhe të bëjë diferencën. Gjithashtu jo pak zhgënjim kishte edhe për ato pak minuta të Sokol Cikalleshit që nuk bëri dot detyrën e tij për të tërhequr para Kombëtaren dhe për të përdorur fizikun në duelet me kundërshtarët.

Pra, mos ndoshta e harrojmë se kush jemi? Jemi ajo Kombëtare e një vendi të harruar në Europë që kërkon të përparojë mes sportit dhe që kishte festën e madhe kombëtare kur u kualifikua për herë të parë në Europianin e Francës. Përse Shqipëria ka mbrojtje të mirë dhe nuk ka sulm? Një tjetër pyetje që i gjendet lehtë përgjigja. Ose më saktë, përse të tre mbrojtësit tanë luajnë me Atalantën, Romën dhe Spezian në Serinë A, por nuk kemi asnjë mesfushor apo sulmues në këto nivele?

Është e gjitha çështje e kualiteteve dhe nuk mund të pritet asnjë mrekulli. Kritika bëhen në momentin kur trajneri nuk shpalos aftësitë e lojtarëve, e asnjëherë nuk mund të dalë përtej limiteve të tyre. Ndoshta e vetmja këshillë në këto momente do të ishte që të bëhej gjithçka për të marrë Nedim Bajramin te Shqipëria pas problemeve me rregullat e FIFA-s. Ky lojtar do të jetë pjesë e Serisë A në sezonin e ardhshëm dhe është një nga më të përfolurit në Itali.

Gjithashtu në Kombëtare pritet që të shihet edhe Meritan Shabani sipas informacioneve të siguruara nga “Sport Ekspres”. Vetëm duke afruar lojtarë me kualitete të tilla që kanë aftësinë për të sulmuar portën kundërshtare mund të presim më tepër nga Shqipëria. Fundja ky barazim në transfertë me Uellsin nuk mund të bëhet më shumë dramë në Shqipëri sesa te vetë kundërshtari. Gjithmonë këshillohet që të shihet në pasqyrë përpara krahasimit me tjetrin… /Sport Ekspres/

One thought on “Editorial/ Çfarë fituam nga miqësorja? Më shumë dramë te Shqipëria se te Uellsi, paradoksi i madh i një vendi që harron vetveten

  1. Per mesfushen Shkelqim Muca thoshte gjate ndeshjes :nuk kemi mesfushor me tipare mbrojtese. Ja dhe alternativat : Robert Gojani titullar i Padiskutueshem me Elfsborg ne Suedi, Liridon Kalludra titullar me Kristiansund ne Norvegji, Erdal Rakip titullar me Malmo ne Suedi.
    Per Sulmin duhet provuar Kamberi, dhe si prurje e re duhet Bashkim Kadrii, sulmues i Odense ne Danimarke

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online