Tërbuni është ngjitur tashmë në Kategorinë e Parë, duke mbyllur me sukses të plotë një sezon fantastik, pasi skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja pati një vazhdimësi të admirueshme, duke qenë gjithnjë në krye në një grup shumë të vështirë, ku Luzi, Partizani B e Gramshi luftuan deri në fund për kreun.
Sot Tërbuni do të përballet në finalen e Kategorisë së Dytë me Devollin, në një sfidë mjaft interesante, sepse edhe devollinjtë kanë zhvilluar një kampionat perfekt, duke triumfuar pas një dueli të bukur me Shkumbinin.
Edhe pse në teori është një finale kryesisht për prestigj, të dyja skuadrat e kanë marrë shumë seriozisht dhe bashkia Pukë është e vendosur të fitojë trofeun, duke premtuar edhe premio.
Nga burime në bashki mësohet se Tërbunit i është premtuar një premio prej 15 milionë lekësh në rast suksesi ndaj Devollit.
Për këtë arsye, sfida në Shijak merr përmasa të mëdha dhe nuk është më thjesht një miqësore fundsezoni.