Kukësit është pa objektiva në këtë sezon të Superiores për herë të parë që nga koha kur mbërriti në elitën e futbollit tonë. Rezultatet e dobëta që kanë marrë verilindorët në këtë kampionat e kanë bërë skuadrën që ta ketë të pamundur arritjen në Europë.
Megjithatë ekipi i Josës u zgjua ndaj Vllaznisë duke fituar në shifrat 3-1. Në këtë mënyrë shkodranët i dhanë lamtumirën titullit kampion ndërsa te Kukësi hoqën përfundimisht frikën e “Play-Off”. Por për çfarë lufton Kukësi? I ftuar në studion e “Ora Sport”, Dragoshi, është shprehur:
“Ne luajmë për tifozët tanë, luajmë për mbështetësit e Kukësit. E treguam se nuk do t’i hapim rrugën asnjëri. Ndaj Vllaznisë ishte ndeshje e fituar nga trajneri. Na tha që ta prisnim disi kundërshtarin në fillim. Nuk duhet ta ulim ritmin tonë pasi në fund të fundit jemi profesionist dhe kemi kontratat tona që na janë bërë të cilat duhet të respektohen”, u shpreh Dragoshi. /Sport Ekspres/