Në Kroaci tani po mendojnë vetëm për futbollin dhe me të drejtë. Kualifikimi për herë të parë në një finale Botërori është një arritje historike për kombin ballkanas me rreth katër milion banorë. Ecuria fenomenale e përfaqësueses në Botëror ka shërbyer edhe si një këmbanë alarmi për institucionet kroate, që ditën e sotme kanë hedhur hapat e parë konkretë drejt ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar.
Që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1991, përfaqësuesja kroate i luan ndeshjet si pritës në stadiumin Maksimir të Zabrebit, një impiant ky që sot nuk i shkon përshtat edhe vetë klubit të Dinamos së Zagrebit e jo më kombëtares kroate.
Ditën e sotme kryetari i bashkisë së Zagrebit Milan Bandiç, prezantoi projektin e shumëpritur të stadiumit të ri. “Nuk do të jetë një si stadiumet që kemi parë në Rusi, pasi nuk e kemi luksin të shpenzojmë 400-500 milionë € si Putin, por do të jetë një stadium i bukur me 35.000 vende dhe kosto totale prej 120 milionë eurosh, që do të financohet në pjesën 70% nga fondet e bashkisë, pjesa tjetër nga shteti dhe federata e futbollit”.