Kosova do të përballet me Izraelin mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 20:45. Duke marrë shkas nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, pala izraelite ka kërkuar masa më të rrepta sigurie. Në një deklaratë për “Klan Kosova”, Vedat Muriqi u shpreh i habitur për faktin se ai dhe shokët e ekipit janë kontrolluar në aeroport nga policia izraelite dhe jo nga ajo e Kosovës.
“Këtu ka ardhur të luajë edhe Mali i Zi, edhe Rumania. Nuk ka pasur probleme. Nuk i kanë pasur policët e vetë. Po vijnë për të luajtur futboll, nuk e di pse po tuten, apo për diçka tjetër. Nuk është presion për neve. Në aeroportin tonë të Kosovës ka pasur policë të Izraelit, që kanë ardhur special të na kontrollojnë. Ne po shkojmë për sport, jo të luftojmë”, ka deklaruar Vedat Muriqi.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar me një komunikatë për shtyp përmes faqes së vetë zyrtare. FFK-ja ka përgënjeshtruar fjalët e sulmuesit të Majorkës. Federata bën me dije se Muriqi ishte duke folur për ndeshjen e parë që është zhvilluar mes Izraelit dhe Kosovës.
“Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbollisti i ekipit kombëtar, Vedat Muriqi sqarojnë opinionin publik se prononcimi në lidhje me kontrollin policor në aeroportin e Prishtinës është keqkuptuar. Në pronocimin e tij të sotëm, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtuar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit. Përndryshe Federata e Futbollit e Kosovës është falënderuese për bashkëpunimin e madh të ofruar nga Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore në lidhje me aspektin e sigurisë për organzimin e ndeshjes ndaj Izraelit”, ka komunikuar Federata e Futbollit të Kosovës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/