Prej dekadash sporti në Shqipëri është lënë në harresë, pasi makutëria e politikës ka gllabëruar gjithçka dhe biznesi i ndërtimit ka rrënuar thuajse gjithë fushat e sportit anembanë vendit.
Dritëshkurtësia e pushtetarëve tanë vazhdon të na lërë pas botës, por të paktën tek-tuk persona që e duan sportin mundohen të bëjnë diçka.
Në Kamzë këto ditë është kompletuar një kryevepër e vogël, sepse është ndërtuar një fushë moderne, një oaz i vogël në një qytet të mbipopulluar, ku askush nuk mendon për të ardhmen.
Në Kompleksin Ademi një fushë futbolli në kushte të mjeruara, me gurë e baltë, është transformuar në një fushë moderne, ku do të stërviten shumë fëmijë nga qyteti pranë Tiranës.
Një investim kolosal, 15 mijë euro paguar për tapetin e hequr nga kompleksi Dinamo, ndërsa gjithçka është paguar nga pronari i kompleksit Ademi, pa asnjë kontribut nga Bashkia apo Federata Shqiptare e Futbollit, që zakonisht ankohet që nuk ka mundësi të gjejë fusha, por kur ajo gjendet, nuk investon për të ndihmuar në ndërtimin e ambienteve profesionale.
Trajneri i grupmoshave të Kamzës, Ergys Luga, tregon për “Sport Ekspres”: “Ishte një fushë në gjendje të mjeruar, tani është bërë një punë fantastike dhe ndihmon gjithë popullin e Kamzës. Kundrejt qirasë, kemi mundësi të stërvitim fëmijët në kushte normale, gjë që na ka munduar për vite të tëra.
“Kemi sakrifikuar rreth 1 vit me këta djem të pasionuar në shi, dëborë dhe diell dhe asnjëherë nuk janë ankuar qoftë dhe për fjalën më të vogël. Sepse kanë vënë pasionin mbi të gjitha. Unë dhe stafi im jemi munduar sadopak t’ua “ëmbëltonim” pak atë terren të mjeruar, duke u kujtuar kohën tonë se si jemi stërvitur edhe ne, në kushte moçali, dhe ata përsëri nuk kanë nxjerrë fjale nga goja, por kanë ulur kokën dhe kanë punuar me pasion dhe përkushtim.
“Në Kamzë stërviten brezat e FK Kamzës, nga 11 deri në 15 vjeç dhe është një fatkeqësi që nuk ka terrene të mjaftueshme për gjithë këta të rinj që e kanë pasion futbollin. Këtu është hedhur një hap i madh, me investim privat, ndaj urojmë që edhe shteti e federata të kujtohen për të investuar në terrene sportive, sepse për pjesën tjetër mendojmë ne”.