Në Fier, paqe mes Apolonisë e Pogradecit

Apolonia dhe Pogradeci nuk kanë shkuar më shumë se barazimi në takimin e luajtur mes tyre në “Loni Papuçiu”. Ka qenë një ndeshje pak a shumë e barabartë, me më shumë dëshirë dhe mundësi nga fierakët, por rezultati ka qenë gjithsesi i merituar për të dyja ekipet.

NDESHJA – Fillimi i lojës ka qenë i shpejtë dhe Apolonia është shfaqur më kërkuese. Në minutën e 5-të, Dimo gjen kuadratin nga një goditje dënimi, por pret në pozicion portieri Mali. Pa kaluar as një minutë, Prifti merr një top nga thellësia e mesfushës së tij, futet në qendër, del tërësisht i zbuluar me Malin, gjuan saktë me të djathtën dhe Apolonia kalon në avantazh. Liqenorët reagojnë dhe sulmojnë rrezikshëm. Në minutën e 10-të, miqtë organizojnë një aksion nga e djathta. Dragoi futet mirë në zonë dhe harkon rrezikshëm, por topi kalon ngjitur me traun e portës fierake. Në minutën e 12-të, Jahja ka gjuajtur fort tokazi, në pozicion ballor dhe topi shkon fare pranë shtyllës së majtë pingule të Çakos. Pogradecarët e shtojnë presionin e tyre dhe pas një minute, kapiteni fierak Dimo ka larguar në vijën fatale një gjuajtje të Albi Çekiçit. Në minutën e 17-të, liqenorët do të konkretizojnë epërsinë e tyre të disa minutave, duke barazuar. Çekiçi ka marrë një pasim të saktë nga e majta e sulmit të vet, vërshon drejt qendrës, bën një rrotullim dhe gjuan saktë me të djathtën, tokazi, duke vendosur ekuilibrin. 1-1. Pas këtij momenti janë fierakët, që luajnë më mirë dhe krijojnë 3-4 raste shënimi, por tregohen të pasaktë në goditjen e fundit. Në minutën e 27-të, Dimo përfiton nga një kthim i topit mbrapa nga mbrojtja pogradecare, futet në dyluftim shpejtësie me portierin Mali në hyrje të zonës, nga e majta, por “gardiani” mik ndërhyn në mënyrë të parregullt, shkakton faull dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Kalojnë rreth 15-të minuta të qeta, me lojë pa nerv dhe pa raste, për të ardhur në minutën e 41-të, ku Prifti hedh një top të gjatë te Krasniqi, i cili fiton duelin e shpejtësisë me Peren, futet brenda zonës në qendër, del i vetëm me Malin, por gjuan keq dhe sfera përfundon jashtë. Në minutën e 43-të, ka një rast moviole. Krasniqi pretendon për penallti, pas një tërheqjeje nga ana e Hysenllarit brenda zonës, por gjyqtari Koçi vazhdon lojën. Pjesa e parë mbyllet me një rast tjetër për bardhejeshilët, në minutën e fundit shtesë. Dimo kroson nga këndi i djathtë, Broshka gjuan me këmbë brenda zonës, një top që grushtohet nga portieri Mali, përplaset në traun e portës dhe del jashtë.

Pjesa e dytë – Është disi më e vakët në lojë, ndonëse rastet nuk kanë munguar në portat respektive. Apolonia kërkon të diktojë në lojë, përmes topave të gjatë dhe krosimeve nga krahët, por sulmuesit nuk shfrytëzojnë siç duhet. Në të 49-ën, Dimo e kontrollon mirë topin brenda zonës kundërshtare, gjuan fort nga një pozicion i prirët, topi përshkon gjithë pasqyrën e zonës dhe përfundon jashtë. Do të duheshin 10-të minuta për të ardhur te rasti i Hysenshahajt, i cili gjuan nga një pozicion ballor në hyrje të zonës, por sërish jashtë. Miqtë kundërpërgjigjen me G. Liçkollarin, që gjuan nga një distancë rreth 30 metra, në gjysmëlartësi, por jashtë kuadratit të Çakos. Në minutën e 72-të, Prifti kërcënon me kokë pas një krosi të saktë të Broshkës, ndërsa në epilog të ndeshjes është Pogradeci, që gati sa nuk merr fitoren. Shyti pason saktë pas shpinës së Broshkës drejt Çekiçit dhe ky i fundit futet në zonë, përballë me Çakon, gjuan me të djathtën, por jashtë. Përfundimisht, barazim 1-1, në një ndeshje ku nga të dyja skuadrat, sidomos nga Apolonia, pritej më shumë.

APOLONIA – POGRADECI         1-1

Shënues: Prifti 6′ / Çekiçi 17′

Apolonia: Çako, Kuçi, Dimo, Sota, Braka, Broshka, Llambi (Mihana 75′), Troka, Hysenshahaj, Prifti (Mehmeti 85′), Krasniqi. Të gatshëm: Hasfatija, Andoni, Kondakçiu, Duda, Velo. Trajner: N. Kashami.

Pogradeci: Mali, Pere, Hysenllari, Kura, Çerepi, Topllari (Laçka 89′), Jahja (Xh. Liçkollari 58′), Shyti, G. Liçkollari, Dragoi (Molla 80′), Çekiçi. Të gatshëm: Xhelollari, Yzollari, Hidri, Kame. Trajner: F. Festollari.

Kartonë të verdhë: Topllari 19′, Jahja 19′, Mali 27′, Pere 50′, Kura 56′, Llambi 75′

Gjyqtarë: A. Koçi, H. Lisaku, A. Demiraku, Xh. Mema (Durrës).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online