Sezoni i shkuar ishte i gjithi për t’u harruar për ekipin e Uest Hemit, i cili e mbylli Premier Ligën, duke shpëtuar në javët e fundit nga rënia dhe rrezikoi jo pak. Objektivat e klubit ishin të paktën kupat e Europës, pasi dhe në merkato ishin shumë aktivë.
Kështu, forma e keqe që shfaqën sezonin e kaluar, duket se acaroi tifozët, të cilët në ndeshjen ndaj Bërnlejt, marsin e vitit të kaluar, nuk duruan më dhe hynë në fushë, duke krijuar kaos total mes tyre dhe lojtarëve. Uest Hemi po humbiste 0-3 në momentin që tifozët pushtuan fushën, madje kapiteni Mark Nobëll apo veterani Kollins u përplasën me disa nga fansat.
Federata angleze ka dhënë vendimin për ngjarjet e ndodhura dhe klubi nga Londra është gjobitur me plot 100 mijë sterlina. Këtë sezon, Uest Hem është në kuotën e 31 pikëve momentalisht, në vendin e dhjetë të renditjes.