Mario Baloteli po tenton të lejë pas krahëve kritikat e shumta dhe mënyra e vetme për ta bërë diçka të tillë është puna. Sulmuesi ka filluar të stërvitet fort, madje është i pari që arrin në stërvitjen e ekipit, duke filluar që nga ora 7:30 e mëngjesit.
Trajneri Vieira është i kënaqur me të dhe ka mbrojtur 28-vjeçarin nga kritikat e shumta të shtypit italian. Marrëdhënia mes tyre është e mirë, siç sulmuesi italian pohoi para disa kohësh “Vieira ndikoi me 80% në zgjedhjen time për të qëndruar te Nica”.
Ata kanë luajtur së bashku tek Inter, më vonë te Mançester Siti, ndërsa tashmë janë bashkë te Nica, ku francezi mban rolin e trajnerit dhe Baloteli është pika e referimit në sulm e ekipit.
“Mario është kritikuar ashpër në Itali, por është gjithmonë e njëjta histori: kur ekipi pëson humbje, nevojitet një fajtor dhe Mario është fajtori ideal për shtypin italian. Kam biseduar me të dhe e di që është i fortë mendërisht për të menaxhuar këtë situatë, por mediat janë treguar me të vërtetë të padrejta me të. Nuk është akoma në 100%, por ndihet mirë”, komenton trajneri 42-vjeçar.