Ramadan Ndreu pak kohë më parë u largua nga Kukësi, ku drejtoi për pak kohë si trajner. Pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar te Kastrioti, ndërkohë që ka drejtuar edhe Laçin. Këtë javë këto dy skuadra përballen mes tyre. Krutanëve u duhen pikët për të qëndruar në Superiore, kurse kurbinasve për Europën.
Ndreu, në prononcimin e dhënë për SportEkspres.com rikthehet pas në kohë: “Kujtoj sfidën Kastrioti-Laçi para një dekade, ku situatat ishin ndryshe. Laçi erdhi në Krujë për të shpëtuar Kategorinë e Parë, ndërsa ne e kishim siguruar matematikisht ngjitjen në Superiore. Në atë ndeshje unë si trajner i Kastriotit hodha në fushë një formacion të alternuar, por gjithë ndeshjen e kujtoj si një betejë, në të cilën Laçi me motivim dhe këmbëngulje mori tri pikët. Këtë radhë do jetë ndryshe”.
Tekniku krutan shikon favorit Laçin para ndeshjes së të shtunës: “Për Kastriotin do të varet mbijetesa nga rezultati që do marrë të shtunën. Nëse fiton, i rrit shumë shanset për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Them se do jetë shumë e vështirë, sepse Laçi kërkon Europën dhe nuk mund të gabojë në shtëpi në këtë fazë të kampionatit. Unë do jem i fundit që do mësoj rezultatin, sepse nuk do shkoj në stadium. Për mua zemra është e ndarë në dysh!”.
AGRON KAJA