Kastrioti mori pikë jetike kundër Kukësit. Roxher Zhunio dhe Edison Ndreca ishin protagonistët e përmbysjes me verilindorët. Braziliani realizoi golin e barazimit, ndërkohë që pas ndeshjes foli për RTSH dhe theksoi se duhet të vazhdojnë me këtë ritëm për të realizuar objektivat sezonalë.
“Jam i lumtur për punën e shkëlqyer të skuadrës dhe ishte ndjesi fantastike të shënoja sërish dhe ta ndihmoja skuadrën të fitonte. Ishte ndeshje shumë e vështirë. Pësuam gol, por reaguam dhe fituam. Le të punojmë për të fituar ndeshjen e ardhshme”, u shpreh sulmuesi i Kastriotit.
Mbrojtësi i majtë u hodh në sulm në fund dhe ia shpërbleu trajnerit Devolli, duke mposhtur portierin Frashëri dhe duke i dhënë fitoren Kastriotit. “Jam i lumtur për golin dhe mbi të gjitha për tre pikëshin. Ishte një ndeshje e madhe. Ndonëse pjesën e parë nuk e nisëm si duhet, gjetëm forcë dhe arritëm të barazonim dhe më pas të fitonim. Por duhet të kemi kujdes. Nuk duhet të na kalojë në eufori kjo fitore, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Në mesjavë na pret një tjetër finale, dhe duhet të jemi gati për Luftëtarin”, u shpreh Ndreca.