Mbushja e trupit me tatuazhe është kthyer në modë për futbollistë të ndryshëm, por diçka e tillë ka penalizuar sulmuesin Ashkan Dejaga. 32-vjeçari aktivizohet në kampionatin iranian me Traktor Sazin dhe është pjesë e kombëtares iraniane që nga viti 2012. Lojtari ofensiv numëron 9 gola të shënuar në 45 ndeshje me Iranin.
Së fundmi, ai ka postuar në rrjetet sociale tatuazhet e tij, por kjo i ka kushtuar rëndë. Siç citon “Deutsche Welle”, lojtari u thirr nga Komiteti i Etikës së Federatës Iraniane të Futbollit, që i ka konsideruar fotot si: “të papërshtatshme për dekorin e futbollit iranian”.
Gjatë viteve të fundit, Federata e Iranit u ka bërë thirrje lojtarëve që të mos bëjnë tatuazhe, duke konsideruar një veprim të tillë si aspak profesional. Dejaga është thirrur nga Komisioni i Etikës, edhe pse në Iran nuk ka ndonjë ligj specifik që ndalon tatuazhet.
Lojtari ka lindur në Gjermani dhe ka luajtur për klube si Herta e Berlinit, Volfsburg dhe Fulhem, ndërsa këtë sezon ka nënshkruar për ekipin e Traktor Sazit. Gjatë periudhës që luante me kombëtaren ai mbulonte tatuazhet e tij dhe vishej me të gjata, por publikimi në “Insta” e ka nxjerrë zbuluar.
Profili i tij mbahet në monitorim, sepse ai është kritikuar dhe për postimin e një foto të gruas së tij, e cila shfaqet e pambuluar dhe diçka e tillë është e palejueshme në Iran. Tashmë Dejaga rrezikon shumë dhe mund të dënohet nga Komisioni i Etikës.